Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit deklaroi se nga ndikimi i konfliktit në Lindjen e Mesme në Shqipëri janë rritur vetëm çmimet e perimeve dhe asgjë tjetër nga shporta me 80 produkte e familjes shqiptare. Tha se janë duke monitoruar çmimet për të ndërhyrë me paketa për shtresën në nevojë.
“Ne jemi duke monitoruar çmimet në bazë ditore, vetëm perimet kanë pasur rritje domethënëse, produktet e shportës janë mbi 80 dhe nuk ka pasur rritje për shkak të luftës. Inflacioni për muajin mars shënoi 2.6% që është nivel ende i kontrolluar.
Targeti deri në 3% kemi rritje të kontrolluar, por në të kaluarën kemi ndërhyrë në një subvencionim për shtresat në nevojë dhe do të shohim se nëse çmimet do të rriten në vazhdimësi do të ndërhyjmë me një akt që do të parashikojë subvencionim për shtresat në nevojë” tha ajo.
Më tej ministrja sqaroi një vendim për të verbrit. “Ne kemi bërë një rregullim ligjor që parashikon që për të gjithë ata persona të verbër do të kemi një përjashtim tatimor dhe do të përfitojnë nga lehtësirat fiskale që legjislacioni ynë ka”, tha Ibrahimaj.









