Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Joani ka uruar besimtarët ortodoksë për Pashkët duke theksuar rëndësinë e paqes, faljes dhe forcës shpirtërore në një botë që, sipas tij, po përballet me konflikte dhe pasiguri të shumta. Joani u bën thirrje besimtarëve që të bëhen “paqebërës” në shoqëri.
“Të dashur vëllezër dhe motra! Në këtë botë të trazuar na mjafton vetëm një siguri: Krishti u ngjall dhe jeton. Dhe nëse jeton Krishti, jetojmë edhe ne. Dhe nëse jetojmë në Krishtin, atëherë as vdekja, as ligësia, as varfëria, as përndjekja nuk mund të na ndajë nga dashuria dhe nga paqja e Tij.
Dita e Ngjalljes së Zotit tonë Jisu Krisht është themeli i paqes. Sepse nga Ngjallja e Krishtit vjen Paqja e Perëndisë. Ngjallja dhe Paqja e Perëndisë nuk është një dogmë abstrakte, por një thirrje personale.
Le t’i përgjigjemi, pra, thirrjes: ‘Paqe në ju’ me të gjithë jetën tonë. Le të bëhemi ne vetë paqebërës në një botë që po shkatërrohet nga urrejtja, nga lakmia dhe egoizmi. Por, që të bëhemi paqebërës, fillimisht duhet të kemi paqe brenda nesh” shprehet ai.









