Kriza e importuar nga Lindja e Mesme i detyroi qeveritë e Ballkanit Perëndimor të veprojnë shpejt me ulje taksash, reduktim akcizash dhe kufizim marzhesh për të frenuar valën e re të shtrenjtimit.
Shqipëria mbeti sërish përjashtimi, me reagim të vonuar dhe me një masë fiskale të kufizuar, që u përdor vetëm për pesë ditë dhe pa ndikim real te çmimet.
Ndërkohë, vende si Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia arritën ta mbajnë naftën deri në 40 lekë për litër më lirë se Shqipëria, duke tërhequr edhe furnizimin nga përtej kufirit.
Ballkani u gjend sërish në vijën e parë të një stuhie që nuk e prodhoi vetë. Mjaftoi ndezja e një tjetër vatre lufte në Lindjen e Mesme që dallga të mbërrinte me shpejtësi në tregjet e energjisë, duke shtyrë lart çmimin e naftës dhe, bashkë me të, frikën për një valë të re inflacioni. Si në çdo krizë të importuar, goditja nuk trokiti në derë, por hyri nga pompat e karburantit, faturat e transportit dhe raftet e ushqimeve.
Përballë kësaj spiraleje, qeveritë e Ballkanit Perëndimor u detyruan të vepronin si zjarrfikëse fiskale, duke ulur taksa, reduktuar akciza apo pezulluar përkohësisht barrën mbi karburantet, në përpjekje për të frenuar përhapjen e flakës në ekonomi.
Menjëherë pas rritjes së çmimit të naftës në tregjet e huaja, shumë qeveri të Ballkanit Perëndimor kanë treguar vigjilencë dhe reagim të shpejtë për uljen e taksave apo heqjen e përkohshme të tyre, me qëllim zbutjen e efekteve të një krize të re që lindi pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme.
Por edhe me ardhjen e kësaj spirale të ndryshimit të çmimeve, Shqipëria “dallon” në Ballkanin Perëndimor për reagimin e saj të vonuar, me një masë të kufizuar që nuk është përdorur, dhe për rrjedhojë pa ndikim në uljen e çmimit të karburanteve, ushqimeve dhe kostove të bizneseve.
Sipas një analize të “Monitor” bazuar mbi shkrimet e gjashtë gazetarëve ekonomikë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, një projekt i mbështetur nga GIZ, #SustainMedia, rezulton se shtete si Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi krahasuar me Shqipërinë morën masat fiskale më të shpejta dhe efektive.
Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi nisën zbatimin për uljen e TVSH dhe akcizës rreth 22 ditë pas nisjes së luftës, mbajtën për tregun e pakicës çmime nafte deri 40 eurocent apo rreth 40 lekë më lirë, sesa Shqipëria, duke nxitur edhe një herë valën “e emigrimit” të furnizimit të naftës.
Në raport me këto shtete Shqipëria mori vetëm një masë fiskale të kufizuar, siç ishte ulja e akcizës te karburantet me 20% nëse çmimi i naftës kalonte vlerën e 220 lekëve për litër me pakicë dhe për benzinën masa zbatohet nëse çmimi kalon 200 lekë për litër.
Kjo masë u zbatua vetëm për 5 ditë (nga data 3 prill deri më 8 prill), kur çmimi i naftës arriti 224 lekë për litër. Pas kësaj periudhe, Bordi i Transparencës ka vijuar të mbajë çmimin nën tavanin e 220 lekëve.
Edhe ekspertët e ekonomisë theksojnë se kjo ndërhyrje e cunguar, nuk po jep efekt te çmimi i naftës dhe kostot e transportit, ndërsa inflacioni i importuar mbetet rreziku kryesor.
Ekspertët paralajmërojnë se rritja e kostove nga karburanti dhe e tarifave të transportit, shumë shpejt do të vijojë të transmetohet edhe te çmimet e produkteve ushqimore.
Në këto kushte, ata rekomandojnë se qeveria duhet të fokusohet me ndërhyrje për uljen e taksave te karburantet dhe uljen e TVSh-së te ushqimet. Ndërsa në afatgjatë ata rekomandojnë se vëmendja e qeverisë duhet të kthehet te konsolidimi i prodhimit vendas, veçanërisht i perimeve, i bulmetit, industrisë përpunuese ushqimore dhe bimëve mjekësore.
Qeveria e Malit të Zi ishte e para që reagoi me uljen e taksave. Më 20 mars (sulmi ndaj Iranit nisi më 28 Shkurt) nisi zbatimin e dispozitës ligjore për të ulur akcizat me 50% për naftën dhe 25% për benzinën.
Në Mal të Zi, ekonomistët theksojnë se ulja e akcizave ka zbutur pjesërisht goditjen e çmimeve të karburanteve, por nuk ka parandaluar përhapjen e inflacionit në sektorë të tjerë.
Përveç rritjes së kostos së transportit, prodhuesit vendas të ushqimit, përfshirë baxhot, furrat e bukës dhe industrinë e mishit, raportojnë se furnizuesit e ambalazheve kanë rritur tashmë çmimet me deri në 50%. Kjo pritet të rrisë në mënyrë të pashmangshme çmimet me pakicë, që mund të prekë edhe turizmin.
Edhe Maqedonia e Veriut ishte ndër shtetet e parë që reagoi me ulje taksash. Më datë 22 Mars nisi zbatimi i vendimit, për uljen e TVSH-së të karburantet me 8%. Nga 18%, niveli i TVSH-së u vendos 10%.
Më 5 prill, Qeveria mori një vendim të dytë, që ulja e TVSH-së të mbetet në fuqi deri në përfundimin e krizës. Në Maqedoninë e Veriut, ulja e TVSH-së dhe akcizave është konsideruar një hap i rëndësishëm, por jo i mjaftueshëm për të stabilizuar çmimet.
Përveç masave fiskale, ekspertët rekomandojnë mbështetje të targetuar për shtresën e mesme dhe me të ardhura të ulëta.
Në Serbi, gjithashtu masat e ndërmarrë përfshijnë uljen e akcizave me 25%, kufizimin e eksportit të derivateve, hedhjen në treg të një pjese të rezervave me qëllim kontrollin e çmimeve. Në Serbi, ekspertët vlerësojnë se ndërhyrjet e shpejta të qeverisë kanë ndihmuar në stabilizimin afatshkurtër të çmimeve të karburanteve, por rreziqet inflacioniste mbeten të pranishme.
Sipas tyre, ulja e akcizave dhe kontrolli administrativ i çmimeve mund të krijojnë presion fiskal dhe rrezik për rritjen e qëndrueshme ekonomike. Ata rekomandojnë se vëmendja e qeverisë duhet të jetë te rritja e prodhimit vendas, eksporteve me teknologji të avancuara dhe rritja e tregut të brendshëm të prodhimit të energjisë.
Ndryshe nga këto shtete, Bosnjë dhe Hercegovina, ka miratuar vetëm në një nga dhomat e Parlamentit masat fiskale për uljes e akcizave ose uljes së TVSH-së. Ligji është miratuar në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ende pret miratimin në Dhomën e Popujve.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, ekspertët paralajmërojnë se vonesat institucionale dhe mungesa e mekanizmave të shpejtë fiskalë e bëjnë reagimin ndaj krizës më të ngadaltë se në vendet e tjera të rajonit.
Si pasojë, pritet që rritja e çmimeve të karburantit do të reflektohet në çmimet e mallrave dhe shërbimeve, veçanërisht në ushqime. Për rrjedhojë shpenzimet e konsumatorit për shportën ushqimore do të vijojnë të rriten.
Në Kosovë, pas nisjes së luftës, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), e drejtuar nga Mimoza Kusari-Lila më 3 Mars njoftoi zbatimin e udhëzimit administrativ që rregullonte çmimet e naftës në raste krizash.
Udhëzimi përcaktonte marzhe maksimale fitimi prej 12 euro cent për litër për shitjen me pakicë dhe 2 euro cent për litër për shitjen me shumicë. Më 11 prill, MINT gjithashtu ka vendosur çmimin tavan 1,84 euro për litër të naftës dhe 1,44 euro për benzinë, 12 euro cent për litër mbi çmimin e importit, bazuar në marzhin e fitimit e përcaktuar.
Në Kosovë, ekonomistët vlerësojnë se vendosja e marzheve të fitimit dhe çmimeve tavan ka ndihmuar në frenimin e spekulimeve, por nuk ka adresuar shkaqet strukturore të inflacionit, i cili është më i larti në rajon në rajon.
Sipas tyre, varësia e lartë nga importet dhe mungesa e prodhimit vendas e bën ekonominë shumë të ekspozuar, ndërsa pritet që inflacioni të mbetet i lartë.
Për rrjedhojë, kërkesa e konsumatorit do të orientohet drejt produkteve jetike, ndërsa bizneset do të vuajnë mungesën e likuiditetit dhe të investimeve. Në këtë situatë masa më e duhur e rekomanduar prej tyre do të ishte ulja e akcizës dhe TVSH-së te karburantet./ Monitor









