Kryeministri në dorëheqje, Albin Kurti, ka nderuar martirët e Vërbocit dhe fshatrave përreth, duke përkujtuar sakrificat e tyre për lirinë e Kosovës.
Ai ka theksuar rëndësinë e ndëshkimit të kriminelëve serbë dhe ka bërë thirrje për veprime më të shpejta nga institucionet kosovare për zbardhjen e rasteve të dhunës dhe zhdukjes së të pagjeturve. Kurti gjithashtu ka theksuar se Kosova është më e fortë se kurrë dhe se Serbia ka një borxh të pamatshëm ndaj vendit.
“Po arrestohen, ose po gjykohen në mungesë, dhe ka përparime edhe sa i përket zbardhjes së të pagjeturve, të zhdukur me dhunë, por edhe sa i përket ndëshkimit të kriminelëve të Serbisë. Duhet të bëhet më shumë nga Prokuroria dhe Gjyqësorët, duhet të veprohet më shpejt, për shkak se njëmend dëshmitë materiale janë këtu, por në anën tjetër dëshmitarët po plaken. Në anën tjetër Kosova është me e fortë se kurrë. Ushtria dhe Policia edhe për nga aftësitë, edhe për nga madhësia janë në nivel të lartë, dhe kurrë më askush nuk guxon të ia mësyjë të vrajë pleq e fëmijë, burra e gra. Dëshmorët e kombit i përkujtojmë përherë, dhe do t’i përkujtojmë gjithmonë. Njëherësh nuk harrojmë kurrë. Serbia na ka pamatshëm borxh, dhe me forcimin e shtetit tonë në njërën anë, dhe mbrojtjes së kufijve e të territorit në anën tjetër, ne i dalim zot popullit e shtetit”.









