Sot, 5 Maji, është një ditë e rëndësishme për kombin shqiptar, një ditë për të nderuar dhe kujtuar ato që kanë dhënë jetën e tyre në luftën për liri, demokraci, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e çdo shqiptari. Kjo ditë ka një rëndësi të veçantë historike dhe emocionale, pasi ajo lidhet ngushtë me figurën e Qemal Stafës, i cili u vra më 5 maj 1942, duke u shndërruar në simbolin i Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Kjo ditë shënon për të kujtuar atë dhe nderuar të rënët për liri në luftën kundër nazifashizmit.
MESAZHI I ILIR METES
LAVDI DËSHMORËVE TË ATDHEUT!
5 Maji është jo vetëm një ditë kujtese dhe nderimi, por edhe mirënjohje e reflektimi për sakrificën më sublime të Qemal Stafës dhe mijëra Dëshmorëve, të rinj e të reja, që dhanë jetën për Lirinë e Atdheut.
Vepra e tyre mbetet dritë udhërrëfyese, një thirrje e përhershme për të qëndruar gjithmonë vigjilentë dhe të gatshëm për çdo sakrificë në mbrojtje të Lirisë, të kërcënuar sot nga kuislingët dhe uzurpatorët “modernë”, që interesin kombëtar e trajtojnë si gjë pa vlerë, që i kanë shpallur luftë familjes dhe kombit, me politikat e tyre të shpopullimit dhe shkombëtarizimit.
Kujtimi i Dëshmorëve është një kushtrim për të shumëfishuar përpjekjet tona për mbrojtjen e Lirisë dhe Pavarësisë së Shqipërise përmes mbrojtjes së vlerave tona më të mirat kombëtare, shoqërore dhe të familjes.









