Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zhvillon këtë të enjte seancën e radhës në procesin penal ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Në këtë seancë pritet të shqyrtohen kërkesat e paraqitura nga mbrojtja, të cilat lidhen me provat dhe dëshmitarët që pala mbrojtëse kërkon të përfshijë në proces.
Avokatët e Metës kanë kërkuar një rivlerësim të të ardhurave dhe burimeve financiare të tij, ndërsa kanë depozituar edhe një listë me persona që kërkohet të dëshmojnë gjatë gjykimit.
Vendimi i gjykatës për këto kërkesa pritet të përcaktojë vijimin e fazave të ardhshme të procesit.









