Kryefjalë e komisioneve parlamentare sot ishte integrimi. Kryenegociatorja Majlinda Dhuka raportoi në Komisionin e Jashtëm për ecurinë e procesit. E ndërsa u shpreh optimiste që gjithçka të mbyllet brenda objektivit të vendosur nga Kryeministri Rama, Dhuka tha se 157 institucione po punojnë për 101 kushtet e BE për mbylljen e 31 kapitujve.
“Viti 2025 që ka qenë një vit jashtëzakonisht i mirë sa i përket progresit si në lidhje me çeljen e negociatave po ashtu edhe me nismat dhe reformat evropiane. Është produkt së pari i vullnetit politik të të gjithë faktorëve dhe forcave politike, i disiplinës së fortë institucionale dhe gjithë institucioneve.
Rreth 157 institucione janë të përfshira në përgatitjet për anëtarësim të Shqipërisë. Në çeljen e negociatave, Bashkimi Evropian ka bërë publik qëndrimin negociues në të cilin parashikohen kushtet që Shqipëria duhet të përmbushë. Deri tani BE-ja i ka paraqitur Shqipërisë 101 kushte për mbylljen e negociatave për 31 kapituj“, tha Dhuka.
Vonesën për raportin e IBAR-it, e cilësoi normale, teksa është në duart e vendeve anëtare dhe Shqipëria aty përfaqësohet nga Komisioni Europian që ka vlerësime pozitive për reformat. Por Dhuka kërkoi që “dy reformat kryesore, elektorale dhe territoriale të mbyllen para zgjedhjeve të 2027”.
Opozita kishte mjaft pyetje, dyshime dhe skepticizëm për raportin e udhëheqjes së negociatave. Për këtë arsye, PD propozoi 11 amendamente me fokus integrimin.
Në thelb, opozita kërkon forcimin e kontrollit parlamentar mbi qeverinë, pjesëmarrjen e plotë të opozitës dhe refuzimin e çdo veprimi që devijon procesin e anëtarësimit. “Ky proces kërkon dy palë dhe nuk bëhet dot me një palë” i tha Jorida Tabaku.









