Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi nuk ka shpallur një vendim lidhur me kërkesën për shkarkimin e Kreshnik Hajdarit si kryebashkiak i Kuçovës për shkak se fshehu dënimin.
Celibashi ka deklaruar se ndodhet në konflikt interesi, ndaj tërhiqet nga vendimmarrja duke krijuar një paqartësi me këtë qëndrim.
“E konsideroj veten në konflikt interesi ndaj tërhiqem nga kjo çështje”, citohet të ketë thënë Celibashi.
Arben Llangozi përfaqësuesi i ish-kandidatit për kryebashkiak të Kuçovës, Lefter Maliqi, tha se Celibashi duhet të përjashtohet sepse sipas tij, ai ka mbajtur një qëndrim një herë për këtë çështje.
Kreshnik Hajdari prej dy vitesh mban funksionin e kryebashkiakut të Kuçovës, edhe pse rezultoi i dënuar në Greqi, ndërsa mosdeklarimi i këtij dënimi ka bërë që ai të jetë objekt i ligjit të dekriminalizimit.









