Ministri shqiptar i Mbrojtjes Ermal Nufi me anë të një postimi në facebook ka njoftuar për takimin që ka mbajtur me homologun e tij grek Nikos Dendias këtë të hënë në Tiranë, duke e shprehur se Shqipëria vlerëson fort mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për rrugëtimin e saj evropian.
Ndërkohë Dendias sipas gazetës greke “Protothema”, deklaron se ka rënë dakord “për mbledhjen e menjëhershme të Komitetit të Përbashkët të Ekspertëve për Varrezat Ushtarake”.
Postimi i Nufit
Mirë se erdhe në Tiranë, Ministër Nikos Dendias!
Shumë i kënaqur për bisedën e frytshme për forcimin e bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve tona, si dhe vijimin e dialogut të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Shqipëria vlerëson fort mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për rrugëtimin e saj evropian, ndërsa mbetemi të palëkundur në promovimin e stabilitetit dhe sigurisë rajonale, veçanërisht në Ballkanin Perëndimor – i cili mbetet prioritet strategjik i përbashkët i dy vendeve tona.