Mbrëmjen e sotme u publikuan pamjet e momentit kur u ekzekutua me armë zjarri biznesmeni Rexhep Ismaili, kreu i shoqatës Çamëria, dega Vlorë. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e datës 7 Maj në Qafë Gjashtë të Sarandës.

Pamjet e kamerave të sigurisë dhe dëshmitë tregojnë se konflikti në befasi i përgatitur nga autorët, vijoi me sende të forta dhe më pas degjeneroi në përdorimin e armëve automatike. Sherri kishte në qendër një përplasje të vjetër mes Konstandin Voglit dhe Viktor Ruçit për një pronë në zonën bregdetare të Krorëzit.

Objektivi i vërtetë i grupit që mbërriti në lokalin e vëllezërve Ismaili ishte Viktor Ruçi, ndërsa Rexhep Ismaili mbeti viktimë gjatë përplasjes me armë në mbrojtje të shënjestrës. Nga përplasja me armë u plagos Konstandin Vogli i cili u dorëzua disa ditë më pas.

Më shumë se dy javë më parë për këtë ngjarje në një bisedë për 5Pyetjet.al, historiani Arben Llalla, mik i biznesmenit të ndjerë në bazë të burimeve dhe kontakteve e zbërtheu ngjarjen, pikërisht atë që sonte u publikua në pamje.
“Ai ka qenë në tavolinë me një person që ata donin ta merrnin peng apo ta keqtrajtonin. 10-12 veta erdhën të përgatitur për të krijuar një incident të padëshirueshëm në ditët tona.

Ai, i ndjeri e ka thënë me gojë, ‘nuk e merrni këtë djalin nga shtëpia jonë se është në besën tonë’ dhe për këtë u vra” tha Llalla. Edhe Prokuroria në dosjen hetimore thekson se shënjestra nuk ishte biznesmeni por Viktor Ruçi.









