Seanca plenare e kësaj të enjteje është shoqëruar me një debat të ashpër mes ministrit të Bujqësisë, Andis Salla, dhe deputetit socialist Erion Braçe, gjatë një interpelance të kërkuar nga ky i fundit. Diskutimi u përqendrua te situata në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, si dhe te akuzat për keqinformim të fermerëve.
Ministri Salla akuzoi Braçen se ka ngritur alarme të pabazuara dhe se ka keqinformuar fermerët, duke theksuar se institucionet veprojnë mbi bazën e analizave zyrtare.
“Kemi analizat këtu. Nuk mund të keqinformojmë fermerët dhe të ngremë alarm pa dalë rezultatet zyrtare. Ju kërkoni përgjigje pa analiza shtetërore”, u shpreh Salla gjatë debatit në Kuvend.
Nga ana tjetër, Erion Braçe kundërshtoi ashpër ministrin, duke kërkuar që të tërhiqen deklaratat për “alarme false” dhe duke këmbëngulur se situata në blegtori është serioze.
“Je i vetmi ministër Bujqësie që nuk pranon që sistemi i TVSH-së ka groposur blegtorinë. Je i vetmi që nuk e pranon këtë realitet”, tha Braçe, duke shtuar se institucionet duhet të jenë më transparente dhe të përgjegjshme në komunikimin me fermerët.
Debati vijoi me tone të larta mes dy palëve, duke reflektuar përplasjet mbi mënyrën e trajtimit të problematikave në sektorin bujqësor dhe komunikimin me publikun.









