Një grup qytetarësh dhe ambientalistë nga Tirana e jo vetëm protestuan sot në zonën e Triportit në Vlorë pranë TEC-eve lundruese.
Protesta ishte njoftuar më herët në rrjetet sociale dhe kishte në fokus kundërshtimin e gardheve rrethuese, si dhe praninë e dy TEC-eve lundruese në këtë zonë.
Për shkak të rëndësisë së objektit, zona u rrethua nga forca të shumta të Policisë së Vlorës, si dhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë.
“Jemi këtu, përpara tigrit një dhe tigrit tre. Janë këto tigrat që tashmë janë në Vlorë, po flenë gjumë, po duke fjetur marrin shumë para. Kanë marrë shumë para deri tani, mbi 70 milionë euro. Ato 70 milionë euro po t’i shpërndaheshin këtyre policëve, do të kishin të gjithë një uniformë shumë më të mirë, edhe verore tani ndoshta.
Dhe shumë gjëra të tjera, mund të ndihmoheshin pensionistët, spitalet. Po këto janë vjedhje e pastër. Kanë ardhur nga Bangladeshi. Përgjegjësit kryesorë janë balluku, Ergys Verdho që i ka marrë në dorëzim, Erald Elezi që i ka marrë në dorëzim edhe kur s’punonin.
SPAK po heton për këtë gjë. Policia të na krijojë mundësinë të hyjmë brenda, dhe njerëzit që si kanë parë tigrat më grabittqarë të vijnë ti shohin, gardhi i sigurisë është më tutje” tha ambientalisti Lavdosh Ferrunaj.
Protesta zgjati rreth 30 minuta dhe më pas u shpërnda pa incidente.









