Ka nisur shpërndarja e bonusit të verës për pensionistët, ndërsa në ditën e parë të procesit mijëra përfitues kanë marrë pagesën shtesë. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Deri në orën 16:00 të ditës së parë të shpërndarjes, 33,119 pensionistë kanë tërhequr bonusin e verës prej 5,000 lekësh. Bonusi po shpërndahet së bashku me pagesën e pensionit dhe do të përfitohet nga 777,200 pensionistë dhe përfitues të skemave të pensioneve dhe trajtimeve të veçanta financiare”, shkroi Ibrahimaj.
Sipas saj, ky është bonusi i parë i akorduar në mesin e vitit dhe është pjesë e angazhimit për mbështetjen e pensionistëve dhe ndarjen e përfitimeve të rritjes ekonomike me qytetarët.
/5pyetjet.al









