Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, me anë të një postimi në rrjetin e tij facebook ka bërë të ditur se qeveria ka miratuar një vendim, i cili synon përmirësimin e trajtimit financiar për efektivët e Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit.
Postimi i Lamallarit
Një lajm i mirë për ata që janë në vijën e parë sa herë që qytetarët kanë nevojë, që përballen me zjarrin, rrezikun dhe çdo situatë emergjente, pa kursyer asgjë nga vetja.
Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam vendimin që përmirëson trajtimin financiar të efektivëve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, duke garantuar një trajtim më të drejtë dhe motivues për orët shtesë, punën gjatë natës, në ditët e pushimit dhe festat zyrtare, si edhe duke vendosur standarde të qarta për mbrojtjen e tyre nga mbingarkesa në punë.
Vendimi i sotëm është një hap tjetër domethënës në përmbushjen e angazhimit që ne kemi ndërmarrë për të forcuar e mbështetur më tej djemtë dhe burrat që shërbejnë në këtë shërbim tejet të rëndësishëm. Përkushtimi i tyre nuk njeh orar e as vështirësi ndaj ne kemi detyrimin e përbashkët t’ju gjendemi gjithmonë pranë. RESPEKT!