Ka nisur puna këtë të enjte për realizimin e projektit për shndërrimin e bazës ajrore të Kuçovës në bazë ajrore të NATO-s, e cila sipas kryeministrit Rama, është një mundësi e shkëlqyer për forcat tona të armatosura në ngritjen e kapaciteteve kombëtare dhe modernizimin e forcave ajrore.
Ndërkohë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u shpreh se kjo bazë do të ketë një ndikim të rëndësishëm edhe në sigurinë kombëtare.
“Jo vetëm për sigurinë tonë, por edhe për sigurinë e rajonit. Përzgjedhja e Shqipërisë është dëshmi se vendi ynë po merr më shumë përgjegjësi në këtë mision. Prezenca e NATO-s në vendin tonë është prova e fortë se Shqipëria është një aleat i rëndësishëm në këtë fazë.
Projekte dhe iniciativa si kjo e Kuçovës janë mëse të pritura në vendin tonë. Baza e re do të ketë një ndikim të rëndësishëm në fushën e sigurisë kombëtare. Kjo bazë do të jetë një model, ndërsa do të ketë ndikim edhe në fushën sociale, përmirësim të mëtejshëm në rrjetin rrugor kombëtar”, u shpreh ministri Peleshi.
Për kryeministrin Rama, Shqipëria e vogël është një vlerë e shtuar në këtë aleancë. “Realizimi i këtij projekti dukej i pabesueshëm para 3 viteve, madje edhe na kanë tallur”, tha Rama.