Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar homazhe në bulevardin dëshmorët e Kombit, ku 11 vite më parë u vranë në protestë Hekuran Deda, Aleks Nika, Ziver Veizi dhe Faik Myrtaj.
Sikurse çdo vit, kreu i qeverisë i shoqëruar nga familjarë të viktimave dhe anëtarë të kabinetit ka vendosur lule në vendin ku u vranë viktimat e thirrur në protestën e socialistëve të asaj kohe në opozitë.
Më herët, kryeministri shkroi në Facebook se drejtësia vonon po nuk harron. Ai thekson se vrasja e 4 protestuesve kërkon drejtësi.
“Mirëmëngjesi dhe me bindjen që drejtësia vonon po nuk harron, si edhe ndjesinë më në fund pozitive nga shenjat e dallueshme të veprimit të drejtësisë së re, nderojmë sot katër protestuesit paqësorë të 21 janarit, vrasja barbare e të cilëve kërkon drejtësi”, shkruan kryeministri Rama.
Vitin e kaluar prokuroria ka rihapur hetimet për vrasjet e 21 janarit, pas kërkesës së Policisë së Tiranës, ndërsa familjarët kërkojnë ende drejtësi.