Dy janë momentet kur sytë kthehen nga Federata Shqiptare e Futbollit; kur luan kombëtarja dhe kur zgjidhet Presidenti i qeverisë së sportit më popullor në vend.
Zhurma në media me akuza, sulme dhe skenarë na kujtoi se Armand Dukës po i mbaron mandati i pestë dhe po bëhet gati për të gjashtin. Këtë vit FSHF duhet të zgjedhë Presidentin e ri.
Afati është deri në qershor, por zgjedhjet pritet që të mbahen përpara marsit. Në garë deri tani që kanë shpallur kandidaturën është gazetari Dritan Shakohoxha dhe Sulejman Starova, por fakti që FSHF ka nisur prej kohësh lëvizjet “nëntokë” tregon qartë se Duka do të kandidojë edhe për një tjetër mandat.
“Lufta” ka nisur prej javësh dhe po bëhet akoma më e fortë për shoqatat rajonale, të cilat kanë të drejtë vote për të zgjedhur delegatët në kushte të barabarta me futbollin profesionist.
Shumë janë ata që e kundërshtojnë vendosjen në të njëjtën peshore të futbollit profesionist me atë amator. Por hileja e Dukës ka futur në lojë politikën.
Armand Duka ka futur në “xhep” thuajse të gjitha votat nga kategoria Superiore, pasi askush nuk pretendon që t’i dalë kundër, jo me zë, por as nën zë.
Zbresim te Kategoria e Parë. Këtu futen në lojë bashkitë. Pjesa kryesore e klubeve të kategorisë së parë administrohen nga bashkitë, të cilat drejtohen nga socialistët.
Akuzat e Erion Veliaj kundër “mbretit” të FSHF-së pak ditë më parë për fondet e FIFA-s që erdhën për COVID-19 ishin një mesazh i qartë, që PS është kundër mandatit të gjashtë për njeriun që 4 vite më parë mposhti Bashkim Finon.
Llogaritë janë të qarta; me Superioren në “xhep” dhe kategorinë e parë jashtë kontrollit “lufta” bëhet për votat e shoqatave rajonale.
Rivalët e sulmuan Dukën nga shtëpia e tij, Shijaku për manipulim dhe falsifikim. Prokuroria nisi hetimet për shoqatën rajonale të Durrësit.
Marius Shahini dhe Fundim Dollaku janë akuzuar për falsifikim firme në dëm të Altion Kecit, i cili pretendon të jetë i deleguari i bashkisë Shijak si anëtar i shoqatës Klub Futbolli Erzeni në shoqatën rajonale të Durrësit.
Por FSHF thotë se përfaqësuesi ligjor i shoqatës Klub Futbolli Erzeni është Marius Shahini, i cili ndërkohë ka zgjedhur si anëtar Fundim Dollakun. Beteja është e ashpër.
Në të gjitha zgjedhjet, shoqatat rajonale të futbollit, që lakohen njëherë në 4 vite dhe cilësohen si “fantazma” janë parë si “dora” e Dukës, por a do të arrijë këtë herë pushteti që ta zbresë nga froni?
/5pyetjet