11 vite nga 21 janari ku 4 qytetarë mbetën të vrarë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rituali i përvitshëm i homazheve vijon të mbahet përpara kryeministrisë.
Këtë 21 janar edhe pse në temperatura të ulëta e mes shiut, familjarë të Hekuran Dedës, Aleks Nikës, Ziver Veizit dhe Faik Myrtaj, në prani të kryeministrit Rama e zyrtarëve të tjerë të qeverisë, vendosën lule përpara kryeministrisë.
Një prej familjarëve, në një prononcim për mediat, tha se Prokuroria e Tiranës ka fshehur dosjen, ndërsa shtoi se do e kalojnë çështjen në SPAK. Ai tha më tej, se kryeministri Rama ka si detyrë të nxisë prokurorinë për të vijuar hetimet.
“Prokuroria e Tiranës ka fsheh dosjen, nuk jep informacione, por ne do e kalojmë në SPAK. Ne me kryeministrin nuk diskutojmë për hetim, ai ka një detyrim për ne që të nxisë prokurorinë të hetojë çështjen. S’ka lidhje kryeministri me hetimin”, tha familjari.