Moti i ftohtë ka ndryshuar mëngjesin e sotëm, duke sjellë reshje të dendura dëbore në Dibër dhe Kukës. Reshjet intensive të dëborës kanë zbardhur qytetin e Peshkopisë dhe zonat malore.
Për shkak të reshjeve të dëborës gjatë gjithë natës dhe në vazhdim dhe temperaturave shumë të ulëta, kalimi ne Bypasin e Murrizit bëhet i rrezikshëm. Mësohet se Rruga e Arbrit është mbyllur ndërsa pritet një tjetër njoftim për situatën në vijim.
Policia Rrugore i bën thirrje të gjithë shoferëve që të bëjnë kujdes në akset e tjera në vend. Aksi Peshkopi-Kala e Dodës-Kukës kalimi i automjeteve duhet të bëhet me zinxhirë. Gjithashtu edhe aksi Peshkopi-Draj dhe Reç-Kukës me zinxhirë. Aksi Ura e Çerenecit-Steblevë-Librazhd, segmenti nga Ostreni drejt Steblevës kalimi bëhet me zinxhirë.
Mësimi ka nisur normalisht dhe nga informacionet e deritanishme, shkollat janë furnizuar me lëndë drusore për ngrohje. Ende nuk raportohen probleme në furnizimin me energji elektrike.