Në mbledhjen e kësaj të shtune të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë marrë vendime të rëndësishme sa i përket zgjedhjeve të pjesshme lokale të 6 marsit në 6 bashki të vendit.
Së pari, 31 janari u la si afat i fundit për regjistrimin e partive politike që duan të garojnë në zgjedhjet e pjesshme në gjashtë bashki.
Komisioni Rregullator dha dritën jeshile për afatet proceduriale duke sanksionuar datat 6-9 shkurt për zyrtarizimin e kandidatëve që më pas i lë hapësirë fushatës elektorale.
Kandidatët për kryetar bashkie do të kenë 14 ditë kohë për të bërë fushatë elektorale, kohë e cila për Partinë Demokratike ishte e pamjaftueshme dhe kërkoi zgjatjen në 25 ditë.
Kërkesat e PD-së u rrëzuan të gjitha në Komisionin Rregullator duke nxjerr në pah se tashmë Lulzim Basha ka mbetur pa vota në tavolinën e KQZ-së.
Komisioni Rregullator përbëhet nga pesë anëtar, tre prej të cilëve kanë marrë mbështetjen e PS-së në momentin kur janë propozuar, një PD dhe një nga LSI ku mesa duket, zhvillimet në kampin opozitar kanë reflektuar edhe votat në KQZ.