Me anë të një postimi në Facebook, Sali Berisha ka dhënë detaje se si Komisioni i Rithemelimit të PD do të futet në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit në 6 bashki të vendit. Berisha shkruan se ata do të kenë kandidatë në të gjitha këto bashki, ndërsa zbulon edhe mënyrën se si do të bëhet zgjedhja e kandidatëve.
Berisha shkruan se zgjedhja do të jetë e ngjashme me primaret në SHBA dhe sipas tij është dëshmuar i suksesshëm, transparent dhe do të sjellë rezultate të mira.
Deklarata e Berishës
Ne kemi vendosur që në këto zgjedhje për kryetar në bashkitë Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnjë të marrim pjesë.
Kandidatët tanë do t’i përcaktojnë anëtarët. Pra, do të bëhen zgjedhjet në struktura dhe kandidatët më të votuar do të jenë zyrtarisht kandidatë.
QYTETARI vendos se kush do të jetë kandidat, as Sali Berisha, as Kryesia, askush tjetër.
Ky proces është i ngjashëm me primaret në SHBA dhe është i dëshmuar si më i suksesshmi, transparenti dhe besojmë se do të sjell rezultatet më të mira për ne.
I ftoj edhe njëherë të gjithë anëtarët që të bëhen pjesë e këtij procesi për t’i dhënë legjitimitetin e duhur secilit kandidat.
Lista jonë padyshim se do të jetë listë fituese e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme në secilin kuptim të fjalës.