Nga Lutfi Dervishi
Pyetja 1: Ngrohja globale ka vënë në vështirësi edhe vende shumë më të zhvilluara se ne. Kapriçot e motit po bëjnë që në dimër të përballemi me të ftohtin dhe gjatë verës me të nxehtin. Nisur nga i ftohti polar që po kalojmë disa mendojnë se shkollat, universitetet dhe qendrat e punës duhet të rrinë pushim. Disa të tjerë mendojnë se duhet investuar për ngrohjen e shkollave. Ju si mendoni? Ia vlen të shpenzojmë fonde për ngrohjen e shkollave kur edhe për 8 apo 9 javë vjen pranvera dhe është e sigurtë që moti do të ngrohet?
Pyetja 2: Sot ne kemi 646 mijë pensionistë. Numri i pensionistëve do të vijë në rritje dhe parashikohet që brenda 5 vjetëve të arrijë në 700 mijë. Sikundër e dini, pensionistët nuk punojnë. Disa janë të mendimit se duhen rritur pensionet se kanë 20 vjet që nuk rriten, disa të tjerë mendojnë se pensionet duhen rritur kur ata vetë të dalin në pension. Ju si mendoni. Duhen rritur pensionet kur e ardhmja e pensionistëve është mëse e sigurtë?
Pyetja 3: Shëndetësia këtu është falas. Ky është fakt. Ka pretendime të pa provuara se ende njerëzit paguajnë në spitalin publik, se të sëmurët nxirren nga spitali pa u mjekuar plotësisht dhe se kurimi vijon duke blerë ilaçet në farmaci, çka përbën një barrë të rëndë për ekonominë familjare. Po ju si mendoni? Pse njerëzit ende paguajnë kur shëndetësia është falas?
a) Është forca e zakonit.
b) Nuk e dinë se shëndetësia është falas.
c) Nuk kam mendim për këtë çështje.
Pyetja 4: 60% e njerëzve dhe 80% e biznesit janë në aksin Tiranë – Durrës. Ka njerëz dhe shumë ekonomistë që thonë se investimet në infrastrukturë duhen përqëndruar në këtë aks dhe jo duke hapur rrugë dhe tunele në zona të pa banuara. Ju si mendoni ia vlen të investosh për Unazën e Madhe të Tiranës dhe zgjerimin e superstradës Tiranë – Durrës, apo të ecim me projektin e 100 fshatrave dhe 1000 lagjeve? Nëse po, investimi duhet bërë me:
a) koncesion
b) PPP (Partneritet Publik Privat)
c) varianti hibrid i a) dhe b)
Pyetja 5: Rruga e Arbrit ende nuk ka përfunduar dhe deri më tani është inaguruar vetëm një herë. Ju ftojmë të jepni mendim për një çështje të rëndësishme. Rruga edhe pse nuk ka mbaruar ka nevojë për mirëmbajte. Si mendoni, duhet ta vendosim tani traun me pagesë apo duhet ta kishim vendosur që në fillimin e punimeve?
Pyetja 6: Shqipëria është vend i bekuar me burime ujore të shumta. Është fakt se ende nuk kemi ujë 24 orë. Jo se nuk i kemi mundësitë, por nëse do të kemi ujë 24 orë, ne rrezikojmë seriozisht falimentimin e disa kompanive shqiptare shumë të suksesshme, që shesin ujin e pijshëm. Ju si mendoni?
Pyetja 7: Kjo pyetje vlen më shumë për ish pronarët. Si mendoni për procesin e legalizimit? Mendoni se ka shumë burokraci për t’i dhënë çertifikatën e pronësisë të ashtuquajturve “zaptues” të tokave të tjetrit apo ky proces po ecën me ritmin e duhur?
Pyetja 8: Kriza energjitike ka mbërthyer gjithë Europën dhe gjendja pritet të përkeqësohet nëse Rusia pushton Ukrainën. Reshjet e shiut priten vetëm në pranverë dhe vetë Kosova ka hasur vështirësi për shkak të defekteve në Termocentralin Kosova B. Ju si mendoni çmimin e energjisë duhet ta rrisim tani menjëherë apo duhet ta kishim rritur 6 muaj më parë?
Pyetja 9: Shqipëria që nga janari i këtij viti dhe për 24 muaj në vijim do të jetë në të njëtën tavolinë me 5 fuqitë e mëdha të Këshillit të Sigurimit në OKB. Ju lutem shkruani tre rezolutat që ju i mendoni të rëndësishme dhe që duhen miratuar menjëherë në këtë Kēshill.
Pyetje 10: Në këtë pyetje nuk kërkohet votim, po mendim. Ka një shqetësim të madh në lidhje me rritjen e çmimit të apartamenteve të banimit kryesisht në Tiranë. Në të gjithë botën çmimet i rrit kërkesa, ndërsa këtu i rrit oferta. Si e shpjegoni ju këtë anomali?
Pyetja 11: Reforma në drejtësi po jep rezultate, por e kuptojmë se jo të gjithë janë të kënaqur dhe padurimi për të parë drejtësi të vërtetë është shumë i madh. Pyetjen, për të cilin kërkojmë mendimin tuaj, e kemi marrë nga një avokat i njohur: pse gjyqtarët dhe prokurorët nuk kanë më frikë të shkelin ligjin dhe kanë frikë t’a zbatojnë atë?
Pyetja 12: Kjo pyetje është shumë e rëndësishme për të ardhmen e demokracisë dhe pluralizmit politik në Shqipëri. Për këtë pyetje ka tre opsione në votim. Ju mendoni se PD duhet të udhëhiqet nga:
a) Basha
b) Komisioni i Rithemelimit të PD-së (kujtesë aty është Berisha i shpallur non grata nga SHBA)
c) Një grupim i ri?
Ju falënderojmë për kohën tuaj të çmuar!
5pyetjet.al