Dy vite më pas policia dhe prokuroria e Dibrës kanë zbardhur një ngjarje kriminale duke vendosur pas hekurave autorët. Në kuadër të operacionit “Liqeni i Zi” u arrestua Shaqir Tollja 53 vjeç, Erlind Tollja banues në Bulqizë, Aleksandër Algeri 34 vjeç banues në Tiranë, (me mase sigurie arrest në burg, aktualisht ndodhet i ndaluar për një tjetër vepër penale në burgun 313 Tiranë) dhe Loraldo Lika 29 vjeç nga Bulqiza me masë sigurie arrest në shtëpi.
Por për çfarë u arrestuan? Në datën 20 nëntor 2020 në aksin rrugor Bulqizë-Fushë Bulqizë për shkak të një konflikti të mëparshëm për motive pronësie, Shaqir dhe Erlind Tollja duke udhëtuar me automjetin e tyre kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit që udhëtonin shtetasit B. S.(Z), dhe Aleksandër Algeri, të cilët u janë kundërpërgjigjur duke qëlluar me armë zjarri.
Në këtë ngjarje është përfshirë dhe Loraldo Lika, i cili sipas policisë ka kryer veprime për të penguar zbulimin e së vërtetës. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër ka urdhëruar ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër e cila ka caktuar masat e sigurimit të arrestit për këto shtetas si të dyshuar për veprat penale të “Vrasjes me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë, “ Mbatje pa leje dhe prodhim i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
/5pyetjet.al