Ish-kryeministri Sali Berisha është rikthyer sot në parlamentin e Shqipërisë. Pas një mungese të gjatë ku vëmendjen ia kushtoi luftës brenda PD-së për pozicionin e kreut të partisë, sot lideri historik i PD-së vendosi që të shkonte në parlament.
Në hyrje të parlamentit, duke folur për gazetarët, ai sulmoi qeverinë, por edhe Lulzim Bashën. Berisha u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës të solidarizohen me banorët e “5 Majit”.
“Unë mbështes zhvillimin e qytetit, projektet që e bëjnë më të bukur dhe të jetueshëm këtë qytet, por kurrë barbarinë. Qytetarëve t’u prezantosh projektin, ti dëgjosh.
Të gjitha veprimet ndaj këtyre banorëve, të gjitha pretekstet që përdoren për legalizim janë të paligjshme, janë dhënie e efekteve prapavepruese ndaj ligjeve të vendit dhe qëndrim ligjor ndaj njerëzve. Ortakë në ato pallate janë edhe përfaqësuesit e Lulzim Bravës. U shembën shtëpitë për të ndërtuar kulla 30 kate, paçka se plani është për kulla 7 kate. U bëj thirrje qytetarëve të Tiranës të solidarizohen me banorët e “5 Majit”.
Ja edhe këtu (selia e PD-së) do të ngrihej parku i katër hajdutëve, Lulzim Brava hodhi gaz dhe helme ndaj njerëzve që tre muaj më parë e kishin votuar, por paraja, hajnia, të lidh dhe errëson sytë dhe cdo normë morale.
Sali Berisha deklaroi se do të futen në zgjedhjet lokale të 6 marsit me kandidatët e tyre dhe do të fitojnë. “Kam munguar 4 muaj se isha në bisedë me marrë demokratët e Shqipërisë dhe ai ishte parlamenti më i madhërishëm në 30 vitet e fundit.
Tani rikthehem në respekt të popullit, por për ata që janë aty nuk meriton as 4 minuta të qëndrosh. Kam gjetur mekanizimin si do i fitojmë zgjedhjet e 6 marsit dhe shikoj një klimë besimi të madh” tha ai.
Si do regjistroheni? “Gjithçka do të bëhet, por ne nuk na pengojnë dot, ne do të fitojmë dhe periodikisht, se kanë bërë rregulla për të më kufizuar fjalën, atëherë salla e parlamentit për mua do të jeni ju këtu” u tha ai gazetarëve jashtë parlamentit.
/5pyetjet.al