Sali Berisha kërkoi nga qeveria shqiptare që të ndihmojë Ukrainën me fishekë dhe municione, pasi kërcënohet nga agresioni rus. Ai kërkoi solidaritet me Kievin, por akuzoi Edi Ramën dhe Lulzim Bashën se udhëzohen nga Beogradi.
“Më duket vetja si në parlamentin e Taxhikistanit. A rrihet në këtë parlament, jo nuk rrihet, por jam këtu për t’i shprehur solidaritetin në emër të PD-së, kombit të Ukrainës. Jam këtu për të ngritur zërin për të ndihmuar Ukrainën, që kërcënohet nga një barbari e Kremlinit, Shqipëria duhet të bëjë gjithçka për të ndihmuar këtë vend.
Të paktën me fishekë dhe municione, mund t’ju dërgohen atyre. Por argati i Beogradit, jo më kot hesht dhe pengu i tij, por ju zotëri deputetë duhet të ngrini zërin sepse përfaqësoni PD-në dhe jo Lulzim Bravën. Duhet të shprehim solidaritet me kombin ukrainas. Nuk mundet që këto të dominojë Beogradi me udhëzimet e tij” deklaroi ai.
Lindita Nikolla i ndërpreu fjalën. “Mbaroi koha juaj, uluni në vend”. “Le të vijnë ata të dy (Rama dhe Basha) të japin llogari për këtë, sepse edhe kur mungojnë mungojnë të dy së bashku” tha Berisha dhe më pas u ul në karrigen e tij në fund të parlamentit.
Sali Berishës iu përgjigj Taulant Balla, të cilit si përgjigje për fishekët për Ukrainën i kujtoi fabrikën e demontimit të municioneve në Gërdec dhe lidhjen e tij me tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008, ndërsa i kërkoi drejtësisë së re që të veprojë.
“Sa i përket fishekëve, gjuha shkon ku dhemb dhembi dhe bota e ka parë filmin si u shitën fishekët që shkaktuan tragjedinë e Gërdecit dhe falë drejtësisë së re uroj të gjenden pronarët e vërtetë të asaj në Gërdec dhe shpërdorimit të armatimit që u përdor.
Askush nuk ka kohë të merret me “non gratë”-ën e këtij Kuvendi. Sa i përket Ukrainës qëndrimi ynë është i koordinuar me NATO-n” tha Balla.
/5pyetjet.al