Eksperti i Sigurisë, Nuredin Ibishi ka thënë se roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), është kyç dhe dhe partner strategjik i Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
Ibishi në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se roli i Amerikës është kyç si partner strategjik i Kosovës.
Madje, ai tha se Kosova do t’i qëndrojë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës në misionin e tyre për vendet që po paraqesin kërcënim dhe rrezik nga Rusia.
“Roli i SHBA-së në këtë rast është kyç si partner strategjik i Kosovës. Amerika është e përqendruar gjithsesi ta përkrahë Ukrainën në kërkesën e saj për anëtarësim në NATO dhe të hiqet nga përqafimi i Putinit. Kështu që Kosova do ti qëndrojë pranë në bazë të deklaratave edhe të presidentes të vendit e cila u deklarua se sikur që kanë ndihmuar në evakuimin e qytetarëve Afganistan edhe në misione paqësor në Kuvajt. Pra në këtë rast Kosova do t’i qëndrojë pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës në misionin e tyre për vendet që po paraqesin kërcënim dhe rrezik nga Rusia”, tha Ibishi.
Kosova ka shprehur mbështetje për Ukrainën, në kohën kur tensionet ndërmjet këtij shteti dhe Rusisë kanë arritur kulmin.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës shpreh gatishmërinë që komponentët e caktuar të Forcës së Sigurisë së Kosovës t’i vendosë në dispozicion të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në rast se kjo i kërkohet për ndonjë mision.
Shefi i Komunikimit Strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes së Kosovës, kolonel Sefer Isufi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Forca e Sigurisë e Kosovës, gjithçka që ka arritur deri më tash – në secilin dimension të zhvillimit të aftësive dhe kapaciteteve të saj operative – e ka arritur falë “mbështetjes së pazëvendësueshme” të SHBA-së.
“Duke pasur parasysh që aleanca jonë me SHBA-në është e natyrshme dhe shumë e fuqishme, jemi plotësisht të gatshëm që të jemi përkrah SHBA-së dhe forcave të saj në secilin mision, ku ata vlerësojnë se mund t’i angazhojnë komponentët tonë profesionalë ushtarakë”, thotë Isufi.
“Ajo [SHBA-ja] e di më së miri se cilët komponentë të FSK-së mund t’i angazhojë në task-forcën e saj, apo t’i integrojë në kuadër të forcave të NATO-s, në operacionet eventuale në mbrojtje të vlerave euro-atlantike – gjë që është edhe vizion dhe aspiratë e Kosovës”, shton Isufi.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur mbështetjen e Kosovës për Ukrainën përmes një shkrimi në Twitter, më 22 janar. /gazetametro.net