Wilfried Guemiand Bony, i cili u bë futbollisti afrikan më i shtrenjtë në histori kur Manchester City e bleu për 32 milionë euro në vitin 2015, nuk luante futboll që kur u largua nga Arabia Saudite në vitin 2020.
Por, sulmuesi që ndeshjen e tij të fundit zyrtare e ka luajtur në 9 shtator 2020, ose para 505 ditësh, më në fund ka gjetur një ekip të ri. Bëhet fjalë për skuadrën holandeze të NEC Nijmegen.
“Pasi prisha kontratën në Arabi, nuk isha gati për të lënë futbollin. Do të bëj gjithçka për të rifituar formën sa më shpejt të jetë e mundur, që të jem i rëndësishëm për ekipin”, tha 33-vjeçari.
Por, tifozët e NEC nuk e kanë pritur aspak mirë sulmuesin nga Bregu i Fildishtë. Arsyeja është se në sezonin 2012-2013, ai u shpall golashënuesi më i mirë i kampionatit holandez (31 gola), duke luajtur me Vitesse, “armikun e përjetshëm” të tyre.