Dy kandidatë të parashikuar të merrnin pjesë në primaret për zgjedhjen e kandidatit të Komisionit të Rithemelimit të PD për kryetar të Bashkisë së Shkodrës janë tërhequr nga gara.
I pari ishte Ardit Qylybylin, aktualisht zëvendëskryetar i asaj Bashkie. Ai ishte një ndër kandidatët që ishte propozuar nga strukturat. Në një postim në rrjetet sociale, më pas i fshirë, Qylybyli deklaroi se arsyeja e tërheqjes është “ në funksion të përqendrimit të demokratëve në një numër më të vogël kandidatësh të mundshëm, por edhe të mbështetjes të kandidaturave që unë gjykoj se kanë dhe duhet të kenë jo vetëm mbështetjen e demokrateve por të gjithë qytetareve shkodranë”. Ndërkohë, për të njëjtën arsye, mësohet se është tërhequr edhe Ergys Ivziku
Emrat e përmendur deri tani për kandidat në primare janë Irena Shala, Bardh Spahia dhe Astrit Bushati.
Ndërkohë, Arben Ristani, i ftuar në Syri Tv mbrëmjen e së premtes theksoi se ka shumë kandidatura për Shkodrën, duke shtuar se primaret janë tepër të rëndësishme. “Ne besojmë se do nxjerrim kandidaturë të mirë për Shkodrën. Ka pasur shumë kandidatura për Shkodrën. Kandidatura të mira sigurisht që ka pasur edhe në bashki të tjera, ku do të mbahen zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Primaret janë shumë të rëndësishme që të zhvillohen, që të zgjidhen ata që vërtetë populli i do t’i përfaqësojë. Janë të ftuar të votojnë të dielën demokratët për primaret. Kush do marrë më shumë vota se tjerët do jetë edhe kandidati zyrtar për bashkinë përkatëse. Interesi më i madh është në bashkitë e mëdha, por edhe në bashkitë e tjera”, tha Ristani.