Është miratuar këtë të hënë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare projektligji për ndërtimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore me Greqinë.
Zëvendësministri i Brendshëm, Andi Mahila ka treguar detaje nga marrëveshja e përbashkët mes dy vendeve. Në fjalën e mbajtur ai theksoi se qendra e përbashkët policore dhe doganore, do të ndihmojë në rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve në luftën kundër krimit ndërkufitar, krimit të organizuar dhe lidhjeve të tij, migracionin e paligjshëm, etj. Qendra do pozicionohet në territorin e Republikës greke në ndalesën aktuale të pikës së kalimit kufitar në Kakavijë dhe nuk do të ketë autoritet në vendimmarrje.
“Funksionimi i kësaj qendre nuk do sjellë mbivendosje me organet doganore policore pasi qëllimi është rritja dhe forcimi i bashkëpunimit të autoriteteve kompetente të palëve ndërmjet shkëmbimit të informacionit. Kjo është qendër e përbashkët e shkëmbimit dhe analizimit të informacionit. Kjo qendër trajton të gjithë çështjet dhe elementët që janë të ngjashme për të gjitha kalimit kufitar. Nuk është qendër e kalimit të përbashkët të mjeteve e mallrave. Shkëmbim informacioni për çështje të përbashkëta”, tha zv.ministri.
“Kjo qendër është përcaktuar të ketë në mënyrë të barabartë 5 zyrtarë nga secila palë. Nga pala jonë është përcaktuar një punonjës policie me gradën nën komisar dhe 4 punonjës policie me gradën inspektor”, u shpreh ai.