Danimarka të martën bëhet vendi i parë i Bashkimit Evropian që heq të gjitha kufizimet e saj për Covid, pavarësisht numrit rekord të rasteve, duke u mbështetur në shkallën e lartë të vaksinimit për të përballuar variantin më të butë Omicron.
Pas përpjekjes së parë për të hequr të gjitha kufizimet midis shtatorit dhe nëntorit, vendi skandinav do të heqë detyrimin për të mbajtur maskat, çertifikatën shëndetësore dhe orët e kufizuara për hapjen e bareve dhe restoranteve.
Klubet e natës do të rihapen sot, kur të hiqen perfundimisht kufizimet në numrin e njerëzve të lejuar për tubime. Vetëm disa kufizime do të mbeten në fuqi për udhëtarët e pavaksinuar që vijnë nga vendet jashtë Shengenit.
Lehtësimi vjen pasi Danimarka regjistron rreth 40,000-50,000 raste të reja me Covid në ditë, ose pothuajse një për qind e 5.8 milionë banorëve të vendit.
“Ne kemi një mbulim jashtëzakonisht të lartë të të rriturve të vaksinuar me tre doza,” i tha AFP epidemiologu Lone Simonsen nga Universiteti i Roskilde.
Më shumë se 60 përqind e danezëve kanë marrë një dozë të tretë — një muaj përpara planit të autoriteteve shëndetësore, krahasuar me një mesatare të BE-së prej pak më pak se 45 përqind.
/5pyetjet.al