-sidi education-spot_img
6.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ilir Babaramo: Shulkët nuk shkulen, edhe Duka ka “ambasadorët” e tij

Kryesoret

Nga Ilir Babaramo

Me aksentin tipik të lagjes Çole të Vlorës, rreth 15 vjet më parë, ministri i atëhershëm i Kulturës Bujar Leskaj u betua publikisht në një televizion kombëtar se do ti “ngulte një gozhdë Armand Dukës që ta mbajë mend për gjithë jetën”. Në fakt Dukës nuk i hyri ferrë në këmbë dhe “gozhdën” e mori Leskaj, plaga e së cilës duhet ti dhëmbë sa herë vrenjtet moti i politikës shqiptare. Kërcënimet e fundit të Veliajt duket se ngjajnë si dy pika uji me ato të Leskajt vite e vite më parë.

Armand Duka ka hyrë në zyrë në të njëjtin vit me Vladimir Putinin dhe Rexhep Taip Erdogan. Megjithatë pas një muaji synon të marrë mandatin e gjashtë. Konjuktura se si zgjidhet i mundëson të marrë dhe një mandat të gjashtëmbëdhjetë. Mjaft që i plotfuqishmi ti japë ymër. Filmi u mbyll dhe këtë herë në favor të atij që 20 vjet më parë Nard Koka e mori për dore  atë që nuk kishte shkelur kurrë në stadium dhe e çoi në krye të FSHF. Gjithçka u kuptua që në momentin kur presidenti i UEFA-s zbriti nga makina 200 mijë euroshëse e Dukës për të ngjitur shkallët e kryeministrisë. Sekuencë e përsëritur filmi. Ndryshon vetëm marka e makinës. Në kohën e “gozhdës”, paraardhësi i Ceferin, Platini udhëtoi me një makinë pak më modeste. Në fakt të dy kanë përsëritur të njëjtën refren. Politika nuk duhet të bëjë presion në zgjedhjen e kreut të FSHF, sporti është i pavarur e bla bla bla.

Për shkak të origjinës, Leskajt i shkon trashja e zërit. E ka shumë më kumbues se Veliaj. Megjithatë pak kohë pas historisë së “gozhdës”, Leskaj u detyrua të lërë zyrën e ministrit. U harruan kontributet e tij elektorale. Kundërshtari i tij nuk kishte vetëm Platininë si aleat por dhe një klan të fuqishëm financiar, mediatik dhe politik.

Është e pamundur të largohet Duka nga kreu i FSHF. Dukën dhe shulkët që ai mban rreth vetes si sekserë është e pamundur ti shkulësh. Në cfarëdo rrethanë do ketë një Ceferin që do kërcënojë qeverinë se Shqipëria do përjashtohet nga aktivitetet ndërkombëtare. Sepse UEFA dhe FIFA funksionojnë sipas një solidariteti ujqërish. Janë sekte që veprojnë me kodin e mafias. Të paktën këtë dëshmuan hetimet që u kryen në Lozanë të Zvicrës ndaj Blater dhe Platini. Eshtë një aferë prej dhjetëra miliardë eurosh që qarkullojnë në vetëm dhjetëra duar sipas parimit të muskëterëve një për të gjithë e të gjithë për një.

Duka nuk mund të shkulet. Ka luksin që të ndryshojë rregullat e lojës siç do ai. Është në krye të një piramide që me votë vetëm vullneti i tij mund ta detyrojë të largohet. Eshtë qesharake fushata që ka nisur Veliaj në emër të Ramës. Audioregjistrimi që u bë publik pak ditë më parë është sa grotesk aq dhe i frikshëm. Është e frikshme etja e kësaj maxhorance për të kontrolluar gjithçka, deri dhe pazaret e basteve. Është tejet shqetësuese sesi gjithë strukturat e shtetit, përfshirë dhe drejtësinë, i sulen dikujt që në këtë çast nuk e kanë në kontroll. Ngjason me një realitet osman. Sulltani nuk mund të tolerojë autonominë e një pashai.

Kundërshtarët e Dukës, së fundi po nxjerrin në publik gjithë xhambazllëqet e tij. Të gjitha janë të vërteta. 20 vjet me radhë drejtësia ka pasur mundësi ti hetojë allishverishet e atij që e ulën për të pirë verë me kryeministrin Nano, të cilën Duka duhet ta ketë blerë me sy : sa mutin e ka pazarin ky pijanec llafazan. Tani nuk është momenti për tju turrur Dukës. Drejtësia duhet të kishte punuar kohë më parë.

Tani drejtësia është e njëanshme. Po përdoret. Po përdoret fiks siç po përdoret Ceferin që erdhi të kërcënojë në emër të solidaritetit të ujqërve. Ceferin vjen si pasojë e një lobimi. Rama nuk ka përse të çuditet. Duka përdori Ceferinin siç Rama përdor disa ndërkombëtarë, disa ambasadorë që duket se janë bërë avokatë të qeverisë në ditët e saj më të vështira. Shija e havjarit azer është e njëjtë kudo.

/5pyetjet.al

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit