Kryesia e Partisë Demokratike miratoi dje propozimet e degëve të PD-së për 6 kandidaturat për zgjedhjet e 6 marsit. Në Durrës, PD zyrtarizoi Luan Hotin; në Shkodër Xhamal Bushatin; në Dibër ishin negociatat e vështira dhe në fund u caktua Luan Haka; në Vorë u caktua Ymer Marku; në Rrogozhinë Ferdinand Saraçi; ndërsa në Bashkinë e Lushnjës do të kandidojë Indrit Sefa, i cili kohët e fundit mbajti postin e sekretarit për çështjet ligjore.
Ndërkohë që krye demokrati Basha i ka quajtur zgjedhjet si të personalizuara të ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe Presidentit Ilir Meta. Kjo, sipas Bashës, bëhet për të sulmuar Partinë Demokratike.
Në Kryesinë e PD-së nuk kanë munguar as debatet. Shkak është bërë Bashkia e Dibrës, ku kandidatura doli e fundit. Drejtuesi politik i Dibrës, Xhelal Mziu, u shpreh i pakënaqur, pasi nuk ishte pyetur për përcaktimin e kandidaturës. Sipas tij, deputetët e dinë se kush ka punuar e kush i ka dëmtuar në zgjedhjet e kaluara.
Ndërkohë debat ka pasur edhe mes Kreshnik Çollakut e Mziut. Shkak i debatit u bë se deputeti Çollaku mbrojti kandidatin për kryetar bashkie dhe se mohoi problematikat në zonë. Ndërsa drejtuesi politik i Dibrës i kujtoi se 1300 anëtarë të PD-së në Mat, ku Çollaku është përgjegjës, kanë ikur me foltoren.