Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar pezullimin e një kapiteni, një rreshteri dhe një zyrtari policor, të cilët ishin në detyrë në momentin kur Milan Radojçiq ka ikur nga pika e kalimit kufitar në Bërnjak.
IPK ka bërë me dije se bëhet fjalë për një kapiten, një rreshter dhe një zyrtari policor.
“Inspektoriati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë rekomanduar Policisë së Kosovës pezullimin e tre zyrtarëve policorë (një kapiteni, një rreshteri dhe një zyrtari policor – që të gjithë punonjës në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorin Rajonale Kufitare “Veriu”)”, thuhet në komunikatën e IPK’së.
“IPK mbrëmë ishte njoftuar nga Policia e Kosovës rreth një incidenti i cili kishte ndodhur në pikë kalimin kufitar në “Bërnjak” në Drejtorinë Rajonale Kufitare Veriu ku gjatë procedurave të kalimit kufitar në hyrje ishte paraqitur një i dyshuar (me inicialet M.R) dhe i njëjti kishte rezultuar si person i kërkuar”, ka bërë të ditur IPK.
Dyshohet se Radojçiq është kthyer mbrapa me veturën e tij, derisa zyrtarët policorë po kryenin procedurat e verifikimit.
Dokumentet e tij kanë mbetur te zyrtarët policorë.
“Personi i kërkuar dyshohet se ka vozitur veturën e tij mbrapa dhe është kthyer prapë në drejtim të Serbisë, ndërsa dokumentet e tij kishin mbetur tek zyrtarët policorë të pikë kalimit kufitar. Hetuesit e IPK-së në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë filluar një procedurë hetimore ndaj tre zyrtarëve policorë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Arratisja e Milan Radoiçiqit nuk është kapur fare nga kamerat e sigurisë në pikën kufitare në Bërnjak. Arsye për këtë ka qenë mosfunksionimi i tyre.
Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe prokurori Rasim Maloku.
Ai ka thënë se kanë nisur hetimet për këtë çështje.
“S’ka ende ndonjë informacion zyrtar pse s’kanë funksionu, por ka fillu një hetim. Është rekomandu edhe suspendimi i tre zyrtarëve policorë që kanë qenë në detyrë në atë kohë”, tha Maloku për Express.
Milan Radojçiq i është arratisur Policisë së Kosovës mesditën e së enjtes, në pikën kufitare në Bërnjak.
Policia në raportin 24 orësh ka dhënë detaje se si i iku Radojçiq nga duart.
Derisa zyrtarët policorë ishin duke kryer procedurat e verifikimit, Radojçiq është kthyer mbrapa me veturë, në drejtim të Serbisë.
Sipas verifikimit të kryer nga policia, ka rezultuar se Radojçiq është i kërkuar në bazë të urdhërarrestit të lëshuar nga Gjykata.
“PKK Bërnjak 03.02.2022 – 15:40. Një i dyshuar mashkull/Serb (në hyrje në Kosovë), gjersa zyrtarët policor ishin duke e verifikuar, i njëjti me veturë është larguar mbrapa në drejtim të Serbisë. Bazuar në verifikimin e kryer i dyshuari është i kërkuar në bazë të urdhër arrestit të lëshuar nga gjykata”, ka bërë të ditur policia në raportin 24 orësh.
Ndaj Radojçiq është hapur rasti “Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës”.
Radojciq është vënë në listën e të kërkuarve para disa ditëve.
Radojiçiq ishte shpallur në kërkim për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit. I njëjti pas një kohe ishte fshirë nga lista e kërkimit me vendim të prokurorit që po e hetonte çështjen. Pas një kohe Prokuroria Speciale sërish e ka vendosur në listën e personave të kërkuar.
Para disa javëve, SHBA e sanksionoi atë dhe disa zyrtarë të tjerë të Listës Serbe.