Parlamenti i Malit të Zi ka filluar debatin për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Zdravko Krivokapiçit.
Më herët, të premten, Parlamenti malazez refuzoi të diskutojë propozimin e kryeministrit Krivokapiç për shkurtimin e mandatit të legjislativit. Shumica e deputetëve abstenuan gjatë votimit për të mos e futur atë pikë në rend dite.
Nga 77 deputetë, vetëm 29 votuan për debatin për shkurtimin e mandatit të Parlamentit, kryesisht ata nga Fronti Demokratik dhe Mali i Zi Demokratik, kurse abstenuan kryesisht deputetë nga opozita.
Synimi i Krivokapiçit ishte shpallja e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në rast të shkurtimit të mandatit të Parlamentit.
Pika tjetër e rendit të ditës është votimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë së Krivokapiçit e propozuar nga Lëvizja Qytetare URA e zëvendëskryeministrit Dritan Abazoviç dhe partia opozitare e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve e presidentit aktual Millo Gjukanoviç.
Ndonëse në fillim të seancës parlamentare erdhi kryeministri Krivokapiç dhe një numër tjetër ministrash, në sallën plenare mbeti vetëm ministri i Investimeve Kapitale, Mlladen Bojaniç.
Në rast se Kuvendi e voton mosbesimin ndaj Qeverisë së Krivokapiçit, ky do të jetë një fillim i negociatave për formimin e qeverisë së re.
Nisma për rrëzimin e Qeverisë është nënshkruar nga partitë e opozitës dhe Lëvizja Qytetare URA, të cilat kanë shumicën prej 44 deputetësh nga gjithsej 81 deputetë në Kuvend.
Votimi i propozimeve të përmendura paraqet epilogun e krizës politike që nga formimi i Qeverisë së Zdravko Krivokapiçit, më 4 dhjetor 2020.
Qeveria e Krivokapiçit, e afërt me Kishën Ortodokse Serbe, u zgjodh me votat e tri koalicioneve fituese të kryesuara nga Fronti Demokratik, Demokratët dhe Lëvizja Qytetare URA në zgjedhjet e 30 gushtit 2020.
Qeveria qysh në fillim nuk e ka pasur mbështetjen e plotë të shumicës parlamentare në Kuvend, kurse konfliktet më të mëdha kanë shpërthyer në mes të kryeministrit Krivokapiç dhe Frontit Demokratik, një pjesë e partive në pushtet disa muaj e ka bojkotuar punën e Kuvendit, kurse muajt e fundit ka ardhur edhe deri te ndarja në mesin e ministrave, atyre besnikë të kryeministrit Krivokapiç apo të zëvendëskryeministrit Abazoviç.
Në deklaratën e tij të fundit publike më 3 shkurt, kryeministri Krivokapiç tha se është i vetëdijshëm se nuk do të jetë më kryeministër dhe se Qeveria e tij do të rrëzohet.
Ai akuzoi zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviç se kishte planifikuar të rrëzonte Qeverinë shumë kohë më parë dhe se presidenti malazez, Milo Gjukanoviç është gjithashtu pjesëmarrës në këto marrëveshje.
Nga ana tjetër, Abazoviç ka thënë se pas rënies së Qeverisë së Krivokapiçit do të fillojnë bisedimet për formimin e një pushteti të ri ekzekutiv dhe se ka disa opsione, duke përfshirë edhe zgjedhjet e parakohshme.
Të pakënaqura me nismën për rrëzimin e Qeverisë, disa parti politike dhe organizata të afërta me Kishën Ortodokse Serbe kanë nisur protesta në rrugë duke kërkuar që partitë e shumicës aktuale parlamentare të arrijnë marrëveshje për formimin e qeverisë së re.
Zëvendëskryeministri dhe koordinatori i shërbimeve të sigurisë, Dritan Abazoviç, tha se gjendja e sigurisë në Mal të Zi është e rregullt./ REL
/5pyetjet.al