Dje u mbyll i pari proces nga drejtësia e reformuar ndaj një ish-zyrtari të lartë: ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, u dënua të premten (04.02) nga GJAKK me burg me akuzën për shpërdorimit të detyrës.
Pas dhënies së vendimit nga Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJAKK), organi i akuzës firmosi urdhër – arrestin. Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri doli me pranga në duar nga salla e kësaj gjykate dhe u dërgua në mjediset e paraburgimit të burgut 313, burg i sigurisë së zakonshme, që ndodhet në Tiranë.
Tahiri: Jam moralisht i qetë, nuk kam shkelur ligjin
Ish-ministri Brendshëm Tahiri dhe avokati i tij Maks Haxhia kanë reaguar ndaj vendimit me burg: “Është thjesht padrejtësi. Jam moralisht i qetë. Nuk kam shkelur ligjin, kam bërë detyrën si më mirë çmunda”, ka theksuar pas dhënies së vendimit ish-ministri i Brendshëm, në një postim në Facebook.
Avokati i tij, Haxhia, të cilit trupi gjykues nuk i dha të drejtën e fjalës gjatë seancës, ku u mor vendimi, deklaroi, pas dërgimit të Tahirit në mjediset e paraburgimit se do të kundërshtojnë vendimin në Gjykatën e Lartë, “do të bëjmë rekurs, presim zbardhjen e vendimit të arsyetuar,” theksoi ai.
Ligji parashikon që rekursi në Gjykatën e Lartë të bëhet brenda 45 ditëve duke filluar nga dita e vendimit.
SHBA: Askush nuk është mbi ligjin
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim, ka përshëndetur vendimin e drejtësisë përmes një postimi në Twitter. “U bëjmë thirrje institucioneve gjyqësore që të vazhdojnë të demonstrojnë se askush – pavarësisht partisë, pozitës apo pasurisë – nuk është mbi ligjin. Jo më pandëshkueshmëri.”
Basha: Akuzat e PD ndaj Tahirit të vërteta
Lulzim Basha, kryetari i PD-së, forcës më të madhe opozitare në Shqipëri, e vlerësoi vendimin e GJAKK si një dëshmi ”për vërtetësinë e akuzave të PD lidhur me përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Tahiri në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.”
Kronika e të parit proces gjyqësor kundër një zyrtari të lartë
Në të vërtetë si Gjykata e Shkallës së Parë ashtu edhe ajo e Apelit i rrëzuan akuzat e prokurorisë ndaj ish-ministrit Tahiri për përfshirje në trafikun e drogës. Ndaj tij mbeti vetëm akuza e shpërdorimit të detyrës.
Kjo akuzë i bëhet minisrit, që konsiderohej më i suksesshmi në qeverinë e parë drejtuar nga kryeministri Edi Rama në vitet 2013 -2017, Trofeja e tij më e madhe ishte shkatërrimi i kështjellës së kultivimit dhe trafikut të drogës në Shqipëri, fshatit Lazarat, që për më tepër se një dekadë ishte marrë i patrazuar me biznesin e canabis sativa, i lënë krejt jashtë kontrollit të policisë dhe shtetit ligjor. Por në mars 2017, pa mbaruar mandati qeverisës Rama 1, Tahiri bashkë me disa ministra të tjerë u shkarkuan nga kryeministri, që i përligji shkarkimet në kuadër të kërkesës së opozitës për një qeveri teknike, në prag të zgjedhjeve parlamentare 2017. Në ato zgjedhje Saimir Tahiri u zgjodh deputet i PS-së por jo pjesë e kabinetit qeverisës Rama 2.
Në vjeshtën 2017, gjashtë muaj pas fitores së mandatit të dytë qeverisës drejtuar po nga Rama, plasën akuzat për trafik droge kundër Tahirit. Organet e atëhershme të Drejtësisë në Shqipëri u vunë në dijeni nga Prokuroria e Katanias (Itali) që në përgjimet e saj të bisedave të trafikantëve të drogës, anëtarë të një organizate kriminale shqiptare që veprontre edhe në Itali, ishte përmendur edhe emri i ish-ministrit Tahiri. Në Tiranë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi arrestimin e tij.
Maxhoranca Socialiste refuzoi kërkesën me mungesën e provave. Gjashtë muaj më pas, në pranverën 2018, Tahiri dha dorëheqjen nga mandati i deputetit duke i hapur rrugën hetimeve. Pas shtatë muajsh hetime, Prokuroria e Krimeve të Rënda, kërkoi masën e sigurisë me arrest në burg. Por Gjykata e Krimve të Rënda vendosi të hetohej në arrest shtëpie. Pas hetimeve, Prokuroria kërkoi 12 vjet vjet dënim me burg. Por në shtator 2019 kjo gjykatë e nxorri të pafajshëm Tahirin për trafik droge dhe fajtor për shpërdorim detyre. Masa e dënimit ishte 5 vjet burg të kthyera në shërbim prove / punë vullnetare për “mosmarrjen e masave që do të shmangnin kanabizimin e Shqipërisë dhe përfshirjen në të të punonjësve të policisë”.
Ish-ministri Tahiri e quajti vendimin e mësipërm “të papritur, qesharak, absurd”. Sipas tij ai ishte i pafajshëm. Kryetari i opozitës Basha e quajti vendimin “të turpshëm, një vendim që tregon se drejtësia është marrë peng nga kryeministri Rama.”
Ish-ministri Tahiri e kundërshtoi vendimin në GjAKK dhe kërkoi pafajësi. Ai deklaroi, se “beteja e tij për të zbardhur të vërtetën sapo kishte filluar” .
Pas 5 vitesh procesi gjyqësor përfundoi të premten (04.02) me të njëjtin dënim, me të njëjtën akuzë por tanimë i burgosur, jo i lirë për ta shlyer dënimin me shërbim prove.
Tani do të jetë Gjykata e Lartë që do të duhet të gjykojë për të vërtetën që do të paraqesë në këtë gjykatë ish-ministri i Brendshëm Tahiri, tanimë i burgosur dhe avokati i tij.
Publiku është në pritje vënien para drejtësisë edhe një tjetër ish-ministrit, Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit nga partia LSI, me të cilën Rama bashkëqeverisi në qeverinë e parë të tij në vitet 2013-2017.
Ish-ministri Koka akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv, pastrim parash dhe ndodhet aktualisht në masë arresti në burg. Tahiri dhe Koka ndodhet të dy te burgu 313/ DW