E premtja e 4 shkurtit ishte një ditë e shënuar për drejtësinë shqiptare, pasi një gjykatë e dalë nga reforma në drejtësi dënoi me 3.4 vite burg ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri për shpërdorim detyre.
Beteja 5 vite u finalizua dje. E ndërsa për ish-ministrin dhe gjyqtarin që e dënoi u fol shumë në media, prokurorët që “kopsitën” dosjen u lanë në “hije”.
Dyshja Dritan Prençi dhe Vladimir Mara, pavarësisht se dosja u rikthye për gjykim u qëndruan deri në fund akuzave për trafik narkotikësh dhe grup të strukturuar kriminal kundër ish-ministrit, duke mos i hequr asnjë presje.
Dosja Tahiri ka ndryshuar disa prokurorë. Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Gentjan Osmani ishin tre prokurorët të cilët nisën hetimet ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Më pas erdhi Arens Çela. Dhe në fund pasi ndryshoi disa duar përfundoi te dyshja Dritan Prençi dhe Vladimir Mara të cilët këmbëngulën te akuzat kundër ish-ministrit.
Trupi gjykues i përbërë nga Engert Pëllumbi, me anëtarë Igerta Hysin dhe Florian Kalaja, vendosi dje të lërë në fuqi vendimin e shtatorit 2019 të ish-Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, që e dënoi Tahirin me 5 vjet heqje lirie për shpërdorim detyre për dosjen Habilaj, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktua me 3.4 vjet.
Ndryshe nga vendimi i mëparshëm, pezullimi i dënimit për Tahirin u cilësua i pabazuar duke e çuar pas hekurave.
/5pyetjet.al