Ndonëse këtë fillim jave cmimi I naftës dhe benzinës arriti një rekord të ri, duke u tregtuar me 193-200 lekë/litër, duket se ky cmim do të rritet sërish.
Ministria e financave ka thirrur në një takim operatorët e fushës dhe sipas pritshmërive të tyre, cmimet do të vijojnë shtrenjtimin.
Numri dy i Ministrisë së Financave Vasilika Vjero u shpreh në E-ZONE, në Vizion Plus se në këtë shtrenjtim nuk ka dhënë ndikim ligji i ri i cili indekson akcizën e karburanteve.
“Në takimin që patëm me operatorët e fushës u evidentua fakti se edhe për të paktën dy apo tre muajt në vijim cmimet e karburanteve do të jenë në trendin rritës, për shkak të bursave. Ndërkohë ligji I indeksimit ka një impakt minimal në këtë cmim dhe nuk ndikon në rritjen e kostove për operatorët e hidrokarburave” -u shpreh Vjero.
Nisur nga kjo situatë, zv/Ministrja thotë se qeveria nuk ka në plan të rishohë sistemin e taksave, por e vemtja mundësi është të mbështeten grupet shoqërore më në nëvojë, nga shtrenjtimi I jetesës në tërësi.
“Ministria e Financave po sheh mundësinë për të gjetur një formë se si të mbështesim shtresat më në nevojë. Nuk kemi ende një skemë konkrete pasi jemi në diskutim, por forma më e mirë është ajo e subvencionimit për disa grupe më vunerabël.” –deklaroi znj.Vjero.
Vetëm si pasojë e rritjes së cmimeve të të gjithë produkteve dhe shërbimeve, jetesa e një familjeje shqiptare është shtrenjtuar minimalisht me 3 mijë lekë në muaj.