“Më kujtuan gjyqet komuniste”. Kështu u shpreh Presidenti i Republikës Ilir Meta lidhur me 72 pyetjet që Gjykata Kushtetuese i drejtoi lidhur me procesin e shkarkimit nga parlamenti. Kreu i shtetit shprehet më tej, se situata i kujtoi pyetjet në Byronë Politike ndaj Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut.
“Disa pyetje të Gjykatës Kushtetuese më kujtuan pyetjet në Byronë Politike ndaj Mehmet Shehut e Kadri Hazbiut. Apo pyetjet e gjyqeve komuniste! E për më tepër kur këto pyetje bëhen nga anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. E të cilët as aparencën nuk e ruajnë dot! Kemi bërë shumë regres” tha ai.
Kreu i shtetit sot zbuloi përgjigjet e 72 pyetjeve që i dërgoi dje Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rolin e tij përpara zgjedhjeve të 25 Prillit të vitit të kaluar, por edhe raportet me ndërkombëtarët, pasi u akuzua nga shumica socialiste se po prishte marrëdhëniet e Shqipërisë me partnerët strategjikë, konkretisht SHBA-në.
Dje gjykata Kushtetuese pasi dëgjoi palët për tre seanca maratonë u tërhoq për të marrë vendimin nëse do të pranojë kërkesën e Kuvendit për shkarkimin e Presidenti apo jo.
Tre janë skenarët për vendimin; të mos ketë vendim, pasi mund të mos arrihet shumica 5-2, të shkarkohet Meta, ose të rrëzohet kërkesa e Kuvendit.
Shtatë anëtarët që kanë në dorë dosjen janë; Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Përparim Kalo, Sonila Bejtja.
/5pyetjet.al