Presidenti i Republikës Ilir Meta ka publikuar në faqen zyrtare përgjigjet e 72 pyetjeve që i dha Gjykatës Kushtetuese në lidhje me procesin që u zhvillua në këtë institucion.
Në përgjigjet me shkrim, që këshilltari i kreut të shtetit Bledar Dervishi i dërgoi trupës gjyqësore sqarohet pozicioni i Presidentit para periudhës së fushatës zgjedhore, që shumica socialiste e akuzon se ishte i njëanshëm dhe se nuk përfaqësoi unitetin e popullit, por “u bë njësh me opozitën”.
Po ashtu, Ilir Meta sqaron edhe deklaratën për “sfurqet dhe kosoret” dhe akuzat për “cenim të sigurisë kombëtare” në raport me aleatët strategjikë. Procesin Ilir Meta e cilëson farsë dhe akuzon Kuvendin për manipulim lidhur me datën e njoftimit të seancës plenare të legjislaturës së kaluar për ngritjen e komisionit kundër tij për të cilën po përgatit dosjen për ta çuar në prokurori.
Gjykata Kushtetuese pas tre seancave dje u tërhoq për të dhënë vendimin. Skenarët janë tre; që të pranohet kërkesa e Kuvendit dhe të shkarkohet, të rrëzohet, ose të dalë pa vendim për mungesë kuorumi. Për të marrë një vendim, 5 nga 7 anëtarët e Kushtetueses duhet të votojnë pro.
/5pyetjet.al