Komisioni i Sigurisë në mbledhjen e sotme votoi me votat e shumicës dhe opozitës projektligjin për marrëveshjen me Spanjën për ekstradimin e personave të akuzuar në vendin iberik. Kryetari i komisionit Nasip Naço e cilësoi si një lajm të keq për “skifterët” shqiptarë.
“Është një lajm i keq për skifterët shqiptarë që janë në Spanjë. I them skifterë për ta kuptuar edhe qytetarët se me miratimin e kësaj marrëveshje nëse kryejnë një vepër penale dhe strehohem në Shqipëri me këtë marrëveshje do të ekstradohen në Spanjë”, tha ai.
“Këta janë mbledhësit kryesorë të votave në cdo lagje për qeverinë” tha Ervin Salianji. Kryetari i grupit të PD-së, Enkelejd Alibeaj kërkoi që në këmbim të kësaj marrëveshje, Shqipëria duhet të kishte kërkuar nga Spanja njohjen e pavarësisë së Kosovës.
“Ai nuk ishte detyrim moral, që të kërkonim një gjë të thjeshtë, njohjen e Kosovës, se nuk e ka bërë. Po ne japim një dozë, apo porcion të sovranitetit, ama kemi detyrimin moral dhe Kushtetues që të kërkonim prej tyre të njihnin Kosovën, pasi ende nuk e ka njohur” tha Alibeaj.
/5pyetjet.al