-sidi education-spot_img
20.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ilir Babaramo: Inceneratorët, shteti si play station i një spurdhjaku

Kryesoret

Afera e inceneratorëve po dëshmon parimin. Asnjë e vërtetë nuk ngelet pa thënë dhe në vendet me demokraci të kufizuar. Pavarësisht se paratë janë shpërndarë me tonelata për të mbyllur “gojët e liga”, e vërteta po zbardhet dita ditës. Eshtë një e vërtetë e frikshme. Kemi të bëjmë me një aferë që shkon mbi 400 milionë euro. Dhe cfarë është më tronditëse është fakti  se gjithë shteti shqiptar ka qenë një mbrokull play station në dorë të një spurdhjaku me emrin Klodian Gurgalla a Klodian Mërtiri, a si dreqin e ka emrin. Sepse njerëz të tillë fshehin identitetin siç fshehin pronësitë në kompanitë guacka off-shore.

Komisioni parlamentar hetimor ka qenë dje në Fier dhe ka konstatuar se inceneratori i këtij qarku ende nuk është vënë në punë pavarësisht se buxheti i shtetit ka derdhur aty dhjetëra milionë euro për një punë të pakryer. E njëjta gjendja dhe në Elbasan. E njëjta mënxyrë dhe në Tiranë.

Dita ditës po zbulohen fakte tronditëse. Gjithçka nisi në Elbasan. Gjithë shteti shqiptar, brenda harkut të një dite pune, ka prodhuar 15 vendime e shkresa në katër ministri të linjës, të cilat u janë përgjigjur akteve zyrtare të njëra tjetrës. Dhe gjithçka e koordinuar nga Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Pra brenda vetëm një ditë u shqyrtua gjendja në bashkinë e Elbasanit, ministritë e financave dhe mjedisit hartuan gjithë dokumentacionin dhe po në të njëjtën ditë u mor vendimi në Këshillin e Ministrave. Ministrin e mëparshëm të financave, që kishte frikë të firmoste, e kishin larguar. Duhej fituar koha e humbur nga vonesa e shkaktuar prej frikës së tij.

Qeveria shqiptare qeka më efiçentja në botë. E të mendosh që pas 11 shtatorit 2001, qeverisë amerikane ju deshën plot 40 ditë deri në momentin kur bombardoi Afganistanin. CIA, Pentagone, State,  Shtëpia e Bardhë nuk kanë qenë kaq të shpejtë për tu koordinuar  në reagimin ndaj sulmit terrorist që ju bë Amerikës,  sa ka qenë qeveria shqiptare për të mbyllur aferën e inceneratorëve.

Në Elbasan shteti i ka dhënë Mërtirit 22 milionë euro ndonëse inceneratori ende nuk është vënë punë. Ndërkohë që parimi i kontratave PPP është që fondet jepen në momentin kur objekti është tërësisht në funksion.

Parimi “ka për të tërë” duket se ka funksionuar në Elbasan. Ministri Damian Gjiknuri i ka dhënë pronarëve të koncesionit të drejtën për të shitur energjinë e prodhuar nga inceneratori dhe për 20 vjet të tjerë pavarësisht vendimit të qeverisë  se shteti  ka shlyer gjithë detyrimet dhe tashmë është pronar i inceneratorit që prej muajit dhjetor. Thes me miell Mërtiri. Nxjerr për këdo që ka një shkop dhe ka mundësi ta shkundë.

Gjendja e mbetjeve urbane është pa dyshim një nga problemet tona më akute. Por duket se qeveritarët kanë dashur ta zgjidhin edhe duke bërë plaçkë. Shikoni çfarë ndodhi në Tiranë. Pak ditë pas vdekjes tragjike të një 17-vjeçari në Sharrë, Erjon Veliaj deklaroi se shteti e ka gjetur zgjidhjen për problemin e mbetjeve. Sipas tij është një “kompani e famshme holandeze”. Madje kaq i apasionuar  ishte pas “kompanisë holandeze” sa mori përsipër të firmoste dhe në emër të katër bashkive të tjera të qarkut të Tiranës. Por holandezët dolën fluturues. Shitën 30 për qind të aksoneve që zotëronin tek “kompania” për vetëm 264 euro një ditë para se të fitohej projekti 29 milionë euro .

Nëse krejt rruzulli tokësor është përfshirë prej dy vjetësh nga virusi covid 19, Shqipëria është përfshirë nga një virus tjetër. Klodi apo WTF quhet. Ky spurdhjaku ka vënë përfund këdo, çdo zyrë të rëndësishme të shtetit shqiptar.

Plehrat, inceneratorët  duket se ishin mundësia e artë, një vresht që të gjithë mund ta vilnin, një vresht me një bekçi me emrin herë Klodi e herë Mirel, herë guackë e herë off-shore. Embëlsinë e rrushit duket se e shijoi dhe kryetari i bashkisë së Fierit. Armando Subashi, i cili firmosi në kundërshtim me ligjin, pa u votuar në Këshillin Bashkiak. Madje u tregua kaq avdall sa vendosi që inceneratori të ndërtohej në një tokë private pavarësisht se ngjitur saj bashkia ka në pronësi jo një por katër prona publike. Pra u shpenzuan fonde dhe për shpronësim.

430 milionë euro janë firmosur deri tani inga kjo qeveri për tre inceneratorët. Asnjëri prej tyre nuk është në punë. Në burg ka shkuar vetëm ish-ministri I mjedisit Lefter Koka. Letrat i kanë firmosur të gjithë. Nuk kanë lënë gjurmë ulëritëse si dikush që është diplomuar 40 vjeç në Tetovë dhe aq dinte e aq bëri. Gjithësesi të gjithë kanë lënë gjurmë. Koka nuk ka përse të bëhet “kokë turku” e të ketë fatin e vëllait të tij, burgosja e të cilit 17 vjet më parë, ishte kapaku që mbuloi gjithë hajdutëritë e qeverisë Nano.

Komisioni hetimor ka nisur punën. Hetimet parlamentare në Shqipëri kurrë nuk kanë qullosur ndonjë gjë. Shpresojmë që të vërtetës ti shkohet deri në fund. Megjithatë dhe sikur hetimet të përfundojnë në harresë me ndonjë vilë apo apartament tjetër në Hamallaj, përmasat e aferës janë të tilla që vështirë të ketë kthim pas. Ato dëshmuan si gjithë shteti ka rënë në gjunjë para një spurdhjaku që erdhi me duar në xhepa dhe telekomandoi gjithçka, para dikujt që drejtësia e heton për një aferë 430 milionë euro dhe shteti u kujtua vetëm pas dy muajsh ta shpallë në kërkim ndërkombëtar.

/5pyetjet.al

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit