Në 24 orët e fundit në spitalin Covid 1 janë kryer rreth 15 shtrime, 5 raste më pak se mesatarja ditore në dy javët e fundit. Nga të dhënat mësohet se spitalit Covid 1 thonë se të gjitha urgjencat e mbërritura në 24 orë janë me moshë mbi 65 vjeç, që është edhe mosha dominante në mbi 95% të pacientëve të shtruar në spitalin covid 1 dhe covid 3.
Aktualisht dy spitalet numërojnë rreth 120 pacientë që zënë 45% të kapacitetit spitalorë për të sëmurët në gjendje të rëndë me Covid 19. Nuk ka ende asnjë sinjal zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë se kur do të nisë rikonstruksioni i godinës së vjetër të Infektivit që ishte përcaktuar në fillim të muajit janar 2022.
Nga ana tjetër infektimet nga Omicron po dëshmojnë një rënie të ndjeshme. Shifrat që jep ministria bazuar në numrin e pakët të testimeve ditore tregojnë se në të gjithë vendin janë ende aktiv me Sars Cov 2 rreth 10 mijë persona, ndërsa incidenca 2-javore është përgjysmuar në 460 infektime për 100 mijë banorë nga 982 që numëroheshin në periudhën 14-21 janar 2022, që shënjon dhe pikun e valës së shkaktuar nga varianti Omicron.
Ekspertët epidemiolog janë shumë optimist se reduktimi i infektimeve ditore do të çoj në ulje të ndjeshme te shtretërve spitalor si dhe fataliteve për pjesën e mbetur të muajit shkurt, ndërsa fillimi i muajit mars sipas ekspertëve pritet ta nxjerrë Shqipërinë nga faza akute e pandemisë dhe kalimin drejt një forme shumë më të butë virale që në gjuhën shkencore konsiderohet endemi, e krahasueshme për nga klinikat dhe format e rënda me gripin sezonal.
Nga Balkanweb