Edmond Përdoda 39-vjeç është arrestuar nga RENEA në Lezhë. Ai ishte në kërkim, pasi së bashku me vëllanë akuzohen për një vrasje të dyfishtë.
Konkretisht në vitin 2020, Edmond Përdoda së bashku me vëllanë. Aleksandër Përdoda ekzekutuan me armë rapsodin Kol Murrani dhe mikun e tij Preng Simoni. Agron Lushi u procedua për akuzën e “Moskallëzimit të krimit”.
E ndërsa vëllai dhe Lushi u hetuan dhe gjykuan, Edmond Përdoda ishte ende në kërkim. Pas informacioneve në rrugë operative, policia zbuloi vendin ku fshihej, e rrethoi me ndihmën e RENEA-s dhe e prangosi.
Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, municion luftarak dhe një sasi baruti.
Si ndodhi vrasja dy vite më parë?
Rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni u gjeten të vrarë me armë zjarri më 27 prill të vitit 2020, pranë shtëpive të tyre të vjetra në fshatin Lalm i Vjetër, të Njësisë Administrative të Kolshit.
Murrani dhe Simoni banonin në periferi të qytetit të Lezhës dhe ditën e ngjarjes, në 27 prill 2020, kishin dalë herët në mëngjes me motor, për të shkuar te shtëpitë e vjetra që kanë në fshatin Lalm i Vjetër.
Pasi kanë ngarkuar një thes me jonxhë, dy burrat kanë vendosur të kthehen në Lezhë, por rrugës u qëlluan befasisht me armë zjarri nga Aleksandër Përdoda.
Për shkak të terrenit të thyer malor dhe mungesës së infrastrukturës së rrugës, Policisë i është dashur 60 minuta për të mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ndodheshin viktimat.
Ngjarja mendohet të ketë ndodhur pas një konflikti pronësie mes Preng Simonit dhe Aleksander Përdodës, i cili kishte ndodhur 8 muaj para ngjarjes.
/5pyetjet.al