Paraditen e sotme në selinë blu, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka pritur në një takim kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi. “Armiku kryesor si në Shqipëri dhe Kosovë mbeten institucionet e dobëta dhe korrupsioni” tha Basha.
Ai gjithashtu foli për njohjet dhe procesin e dialogut Kosovë-Serbi. “Shqipëria ka detyrën që të shtyjë cdo aspekt që ka të bëjë me Kosovën, veçanërisht me njohjet ndërkombëtare si anëtare në Këshillin e Sigurimit” tha më tej Basha.
“Memli është përfaqësues i një brezi të ri dhe në këtë kuadër është një shenjë e mirë edhe për të gjithë rininë shqiptare. Rinia e Kosovës dhe Shqipërisë ka një rol të madh për të luajtur.
Me energjinë dhe vizionin e tij do të kontribuojë edhe për një frymëzim të ri të rinisë shqiptare për të marrë në dorë fatet e dy vendeve” tha lideri i PD-së.
“Bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë e kemi prioritet, qeveri apo opozitë. Obligimet tona për të thelluar këtë bashkëpunim janë detyra të përbashkëta” tha Krasniqi.
Më pas kryetari i PDK-së i dha edhe disa “leksione” Lulzim Bashës që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve që do të zhvillohen në 6 mars.
“Ne do të vazhdojmë takimet dhe bashkëpunimet. I urova Bashës sukses në procesin zgjedhor, mbi të gjitha një proces të rregullt dhe të pranueshëm prej të gjithëve.
Ne si Kosovë, kemi të drejtë t’i japim vetes pak të drejtë për këtë, pasi kemi arritur ta konsolidojmë procesin demokratik dhe elektoral” tha ai.
Që prej ardhjes në krye të PD-së, Lulzim Basha nuk ka njohur asnjë proces lokal apo qendror që është zhvilluar duke akuzuar socialistët për vjedhje dhe masakër zgjedhore.
/5pyetjet.al