Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina, përgënjeshtroi deklaratën e presidentes Vjosa Osmani e cila tha se nuk e ka vënë re se po i kalojnë 80 euro shpërblim për naftën çdo muaj.
Pantina me anë të një postimi në Facebook ka thënë se çdo deputet çdo muaj merr në kutinë postare një dokument nga sekretariati ku tregohet për pagesat që janë bërë për muajin paraprak.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani që në pesë mandate ishte deputete e Kuvendit ka thënë se kur ishte regjistruar atë kohë nuk e ka ditur se do të kompensohej për udhëtimin.
“Unë për herë të parë kam dëgjuar që ka kompensim për udhëtim tani kur ka dalë kjo punë në media, shumë para se të flitej për emrin tim kur doli për deputetët që këtë vit kanë marrë kompensim. Atëherë kam dëgjuar për herë të parë për këtë kompensim”, tha Osmani për RTK-në.