Ish-ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Skënder Hyseni e konsideron problem të madh mungesën e një marrëveshjeje finale me Serbinë, teksa e quan interes të madh arritjen e marrëveshjes me njohjen reciproke.
Ish-koordinatori i Kosovës për dialogun me Serbinë ka folur edhe për përfshirjen e SHBA-së në këtë drejtim, teksa e konsideron më shume si përkrahje sesa si presion. Ai ka thënë se Kosova nuk duhet të veprojë si Palestina, e cila ka refuzuar çdo proces të dialogut. Hyseni ka thënë se njohja reciproke me Serbinë është në interesin e Kosovës dhe se kjo njohje do t’i zhbllokonte të dyja vendet nga gjendja e ngrirë.
“Problem të madh unë shoh mungesën e një marrëveshjeje me Serbinë. Unë konsideroj se për Kosovën sot nuk ka interes më të madh se sa arritja e një marrëveshjeje me Serbinë dhe njohja reciproke. Për aq kohë sa kjo nuk do të ndodhë Kosova do të mbetet në gjendje të ngrirë. Edhe Serbia do të mbetet në gjendje të ngrirë. Asnjëra dhe as tjetra nuk do të mund të bëjnë përparime drejt integrimeve evropiane dhe në NATO pa e përfunduar këtë kontest ose konflikt midis Kosovës dhe Serbisë që unë e them vazhdimisht që nuk është konflikt vetëm midis Kosovës dhe Serbisë por është konflikt midis shqiptarëve dhe serbëve si tërësi”, ka thënë Hyseni.
Hyseni apelon te institucionet kosovare që dialogun ta vendosin në prioritet të parë. Mungesa e dialogut, sipas Hysenit, i shkon Serbisë në favor.