Sot gjykata në Lezhë vendosi që të lerë në masën e sigurisë burg pa afat Edmond Përdodën, që u arrestua pak ditë më parë shtëpinë e tij nga RENEA me akuzën e vrasjes së dyfishtë dy vite më parë. Në seancën e zhvilluar sot mësohet se Përdoda ka pranuar që të bashkëpunojë me drejtësinë duke treguar vendin ku kishin fshehur armët e krimit.
Si ndodhi vrasja dy vite më parë?
Rapsodi Kol Murrani dhe miku i tij Preng Simoni u gjeten të vrarë me armë zjarri më 27 prill të vitit 2020, pranë shtëpive të tyre të vjetra në fshatin Lalm i Vjetër, të Njësisë Administrative të Kolshit.
Murrani dhe Simoni banonin në periferi të qytetit të Lezhës dhe ditën e ngjarjes, në 27 prill 2020, kishin dalë herët në mëngjes me motor, për të shkuar te shtëpitë e vjetra që kanë në fshatin Lalm i Vjetër.
Pasi kanë ngarkuar një thes me jonxhë, dy burrat kanë vendosur të kthehen në Lezhë, por rrugës u qëlluan befasisht me armë zjarri nga Aleksandër Përdoda.
Për shkak të terrenit të thyer malor dhe mungesës së infrastrukturës së rrugës, Policisë i është dashur 60 minuta për të mbërritur në vendin e ngjarjes, ku ndodheshin viktimat.
Ngjarja mendohet të ketë ndodhur pas një konflikti pronësie mes Preng Simonit dhe Aleksander Përdodës, i cili kishte ndodhur 8 muaj para ngjarjes.
/5pyetjet.al