Ish-gjyqtarja e Krujës, Enkeleda Hoxha u dënua sot nga gjykata e posaçme me 2 vite burg për korrupsion.
Ajo akuzohet se ishte pjesë e një strukture kriminale që synonte të lironte disa të dënuar që e vuajnë dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Fushë-Krujë, kundrejt përfitimeve monetare.
Por cilët ka liruar deri tani?
Enkeleda Hoxha liroi nga burgu Indrit Doklen, i dënuar me burgim të përjetshëm, si anëtar i bandës së Durrësit, i akuzuar për disa vrasje, plagosje dhe krime të tjera.
Në të njëjtën mënyrë që gjyqtarja Hoxha, përdori për lirimin e Dokles, në nëntor të 2017-ës, liroi Genc Tafilin, i përfshirë në vrasjen e kolonel Arben Zylyftarit.
Tafili kishte kryer 17 vite burg, nga 25 që ishte dënuar. Një tjetër lirim që mban firmën e gjyqtares Hoxha, është edhe ai i Ilir Pajës, të njohur me nofkën “UFO” nga drejtësia italiane, të cilit i kishte mbetur mbi një vit dënim.

Paja njihet për disa nga arratisjet e tij në burgjet e Italisë dhe Gjermanisë. Enkeleda Hoxha në vitin 2018, po ashtu vendosi lirimin nga burgu të Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist Rrahman Rraja.
Ai u dënua me 1 vit burg, për dhunë të ushtruar ndaj Xhisiela Malokut, por gjyqtarja vendosi konvertimin e dënimit në shërbim prove.
Një tjetër emër i njohur që u lirua nga Hoxha ishte Hekuran Billa, i cili pak muaj më pas, në qershor 2020 u ekzekutua në Tiranë për hakmarrje.
/5pyetjet.al