Nëse mendoni se trafikantët lëvizin me makina luksoze, e keni gabim. Një i ri është vënë në pranga nga policia e Tiranës, i cili për mos t’u pikasur nga autoritetet shfrytëzonte transportin publik nga Durrës në Tiranë, ndërsa më pas lëvizte në këmbë në kryeqytet.
Mësohet se ai është Fabian Bega, 31 vjeç, banues në Durrës. Pasi siguronte lëndën narkotike në sasi 500 gramë deri në 2 kg, në qytetin e Durrësit, e ndante në porcione të vogla, të cilat më pas i shiste në zonën e “Don Boskos”, në rrugën “Mine Peza” dhe në afërsi të Zogut të Zi, kundrejt vlerës 8000 lekë të rinj një dozë me kokainë.
31-vjeçari, lëvizjet nga Durrësi në Tiranë, i bënte me transport publik, ndërsa brenda Tiranës lëvizte me këmbë, që të ushtronte aktivitetin e tij pa u pikasur nga shërbimet e Policisë.
Mësohet se Fabian Bega rezulton i dënuar më parë për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.