Komisioni hetimor për inceneratorët mbledhjen e sotme e filloi me debate të forta mes deputetëve të dy krahëve dhe përfundoi te lotët e dëshmitares duke u ndërprerë për disa minuta.
Ish-anëtarja e Komisionit të Prokurimit të Inceneratorit të Fierit, Sabina Cenameri gjatë marrjes në “pyetje” shpërtheu në lot dhe për këtë arsye deputeti socialist, Eduard Shalsi, kërkoi që seanca të ndërpritej për shkak të gjendjes së saj emocionale, por edhe faktin që ishte thirrur në SPAK për këtë cështje.
“Pas gjendjes emocionale të papërshtatshme për të bërë të mundur një dëgjesë objektive, nuk e di c’ka ndodhur po pashë një reagim dhe vazhdoj që ta shoh dhe do thoja të jemi të kujdesshëm se në një gjendje emocionale të tillë, edhe pse është thirrur nga SPAK, nuk do të jetë e vlefshme që të dëgjojmë një dëshmi të tillë.
E kam të vështirë të dëgjojë dëshminë e një njeriu që është thirrur për të dëshmuar, nuk do i shërbejë Komisionit, mjafton ta shohësh” kërkoi Eduard Shalsi.
“Zonja u emocionua nga pyetjet e disa kolegëve në anën tuaj. Jemi duke e vendosur në presion të kotë zonjën. Mos ta zgjasim më shumë” tha Jorida Tabaku.
Debatet ishin aq të forta mes deputetëve sa interferuan te një tjetër takim që po zhvillohej në Kryesinë e Kuvendit mes Mimi Kodhelit dhe disa diplomatëve.
Kryetarja e Komisionit të Politikës së Jashtme ndërhyri me “urgjencë” duke kërkuar qetësi, gjë që u mirëkuptua nga Tabaku. “Po, ke të drejta” tha deputetja demokrate, kryetare e komisionit për inceneratorët.
/5pyetjet.al